Lidhje

50 republikanë kundër Trumpit


Michael Chertoff, majtas, ish Sekretar i Sigurisë Kombëtare dhe Michael Hayden, ish drejtor i CIA janë mes 50 ish zyrtarëve republikanë nënshkrues të letrës.
Michael Chertoff, majtas, ish Sekretar i Sigurisë Kombëtare dhe Michael Hayden, ish drejtor i CIA janë mes 50 ish zyrtarëve republikanë nënshkrues të letrës.

Një grup prej 50 ish zyrtarësh të njohur republikanë të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare u shprehën, se nuk do të votojnë për kandidatin republikan Donald Trump.

Grupi, në të cilin bëjnë pjesë emra të tillë të njohur si ish sekretarët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Michael Chertoff dhe Tom Ridge, ish drejtori i CIA-s Michael Hayden, ish drejtori i Shërbimit Kombëtar të Zbulimit dhe Nën sekretar i Shtetit John Negroponte, thonë se Donald Trumpi nuk ka as karakterin dhe as përvojën e duhur për të qënë president.

“Zoti Trump ka treguar në mënyrë të përsëritur, se ai nuk i kupton si duhet interesat kombëtare të Amerikës, sfidat e saj komplekse në diplomaci, aleatët e saj jetikë dhe vlerat demokratike mbi të cilat duhet të bazohet politika jonë e jashtme”, thuhet në letrën e ish zyrtarëve të lartë republikanë. “Në mënyrë të vazhdueshme ai lavdëron kundërshtarët tanë dhe kërcënon aleatat tanë”, thuhet më tej në letër.

Ish zyrtarët republikanë shkruajnë se kandidati Trump demonstron “një injorancë alarmuese të fakteve bazë të politikës së sotme ndërkombëtare dhe nuk tregon aspak interes për të mësuar”.

Në përgjigje të letrës, ndihmësit e zotit Trump thonë se nënshkruesit e saj janë “pikërisht fajtorët që e kanë bërë botën e sotme një vend të rrezikshëm”. “Ata janë elita e dështuar e Uashingtonit që synojnë të mbajnë pushtetin, por ka ardhur koha që ata të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre”, thuhet në përgjigjen e zotit Trump, duke përmendur si shembuj vendimin për ndërhyrjen në Irak dhe lindjen e forcimin e Shtetit Islamik.

Një tjetër figurë e njohur republikane, senatorja Susan Collins, tha se ajo nuk do të votojë për kandidatin e partisë së saj për president Donald Trump, duke thënë se ai “nuk përfaqëson vlerat republikane dhe as qasjen gjithëpërfshirëse të të qeverisurit për të cilën ka nevojë vendi” , siç shprehet ajo.

Ende nuk ka një përgjigje nga fushata elektorale e zotit Trump për kritikat e senatores.

XS
SM
MD
LG