Lidhje

Gjykata hollandeze vendos ekstradimin e Frrokut


I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një Komisari policie në Tiranë në 2013, Arben Frroku u ndalua nga autoritetet hollandeze disa muaj me pare ne Amsterdam, me pasaportë greke.

Arben Frrokut, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj në Tiranë në muajin shkurt të 2013, i është refuzuar kërkesa për të shmangur ekstradimin e tij në Shqipëri. Frroku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ai u kap disa muaj më parë nga autoritetet hollandeze me një pasaportë greke. Një gjykatë në Amsterdam ka hedhur poshtë pretendimet e Frrokut sipas të cilit procesi i tij në Shqipëri ka qenë politik, apo se atij I janë shkelur të drejtat. Tani Frroku ka dy javë kohë për ta ankimuar vendimin.

Njoftimi për ndalimin e tij në Hollandë u shoqërua me debate politike dhe dyshime të forta të hedhura nga opozita sipas së cilës autoritetet shqiptare nuk kishin dhënë informacione për palën hollandeze në mënyrë që të ndihmonin Frrokun. Policia shqiptare pak ditë më pas, më 28 prill njoftoi se pas komunikimeve me autoritetet hollandeze “ishte konfirmuar se shtetasi i paraqitur me dokumente të falsifikuara nën emrin “Renato Tsepa”, ishte shtetasi Arben Frroku, i dënuar tashmë nga drejtësia shqiptare. Verifikimi i identitetit të shtetasit Frroku erdhi pas krahasimit të gjurmëve të dërguara nga autoritet e vendit tonë për partnerët hollandezë. Interpol Haga konfirmoi se gjurmët ishin identike me ato të një shtetasi të arrestuar me dokument (pasaportë) grek të falsifikuar, me gjeneralitetet “Renato Tsepa”, lindur në Korçë”, shpjegoi në atë kohë policia shqiptare, duke shtuar se “në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, kanë nisur procedurat e ekstradimit të shtetasit Frroku drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajë dënimin sipas vendimit të gjykatës”.

Arben Frroku u arrestua në 2013 në qytetin e Selanikut në Greqi, pak orë pas vrasjes së komisarit të policisë Dritan Lamaj në Tiranë,. Ai qëndroi në burgjet greke deri në nëntor kur u ekstradua në Shqipëri. Ndërkohë emri i tij ishte pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në Qarkun e Shkodrës, të Partisë KristianDemokrate, një forcë politike e rreshtuar në koalicionin e majtë të udhëhequr nga socialistët në zgjedhjet e Qershorit 2013. Vëllai i tij Mark Frroku mundi të hynte në parlament. I përfshirë në cështjen e deputetit Tom Doshi, edhe Mark Frroku përfundoi në pranga, në Mars të 2015-s ndërsa menjëherë për të u rihap dosja e një vrasjeje të dyshuar të ndodhur në Bruksel në fund të viteve ’90, ku ai dyshohet të jetë ndër autorët, si dhe nën akuzat e fshehjes së pasurisë dhe pastrimit të parave.

Në Shqipëri, gjyqi ndaj Arben Frrokut në shkallën e parë, zgjati për shumë muaj, deri kur në prill të 2015, ai u shpall i pafajshëm. Dy muaj më pas Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda, mori një vendim tërësisht të kundërt duke e dënuar atë më burgim të përjetshëm. Por ndërkohë Frroku kishte lënë Shqipërinë.

Kohë më parë, ndërsa fliste për Reformën në Drejtësi, dhe për personat që duhet të frikësoheshin prej saj, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, “mes kriminelëve, autorë të krimeve të rënda që ecin lirisht në rrugë çdo ditë”, përmendi së bashku me Emiljano Shullazin, i arrestuar disa muaj më parë, edhe Arben Frrokun “që vrau një shef policie por që në mënyrë të mistershme u lejua të largohej nga vendi deri sa ishte në pritje të apelit në gjykatë”, u shpreh ambasadori Lu.

XS
SM
MD
LG