Lidhje

Jeta e Nënë Terezës


Nënë Tereza lindi me emrin Gonxhe Bojaxhi nga prindër shqiptarë në Shkup, më 26 gusht të vitit 1910. Në vitin 1929 ajo shkoi në Kalkuta si një e re 18 vjeçare në Instituin fetar Loretto ku dha mësim lëndën e gjeografisë. 20 vjet më vonë ajo hapi shkollën e saj të parë në lagjet e varfëra të Kalkutës. Aty ajo themeloi organizatën "Misioneret e Bamirësisë", që ndihmon viktimat e braktisura, nga varfëria dhe sëmundjet në mbarë botën. Dhimbshuria e saj arriti lagjet e varfëra, viktimat e urisë dhe të sëmundjeve dhe i dha asaj çmimin Nobel të Paqes në vitin 1979. Ajo u nderua nga shumë udhëheqës botërorë dhe fetarë përfshi Papa Gjon Palin II, ish kryeministrin indian Indira Gandhi dhe Naarsimha Rao, Mbretëresha Elizabeth e Britanisë që i dha asaj çmimin më të lartë të vendit – Urdhërin e Meritës.

Në vitin 1985 ajo bashkoi forcat me këngëtarin dhe aktivistin politik irlandez Bob Geldof, për të promovuar një fushatë botërore kundër varfërisë në Etiopi dhe në gusht të vitit 1989 ajo ndihmoi personalisht evakuimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Bejrutin e shkatërruar nga lufta.

Gjatë një udhëtimi në vendin e prindërve të saj në vitin 1991, Nënë Tereza mori pjesë në një shërbesë në Kishën Katolike në Tiranë që ishte mbyllur nga regjimi komunist në vitin 1967.

Në dhjetor të vitit 1991, ndërsa ishte në një turne botëror me misionin e saj, Nënë Tereza pati një goditje në zemër dhe iu nënshtrua një operacioni kirurgjikal në Kaliforni.

Pas përleshjeve mes hinduve dhe myslimanëve në Indi në dhjetor të vitit 1992, gjatë të cilave u vranë të paktën 1,200 njerëz, Nënë Tereza u lut për paqe dhe harmoni në një memorial në Nju Delhi.

Në qershor të vitit 1993 ajo bëri një tjetër vizitë në Dublin në Republikën e Irlandës, ku ajo ishte një murgeshë e re në vitet 1920 dhe u takua me presidenten irlandeze Mary Robinson.

Në tetor të vitit 1994 ajo mori pjesë në një miting në sheshin e Shën Pjetrit së bashku me Papa Gjon Palin e Dytë për të shënuar Vitin Ndërkombëtar të Familjes së Kishës Katolike dhe një vit më pas në një mesazh të veçantë në 85 vjetorin e ditëlindjes së saj, Nënë Tereza u bëri thirrje njerëzve për dashuri ndaj njëri tjetrit dhe besim tek Zoti.

Pak para 86 vjetorit të ditëlindjes së saj në gusht të vitit 1996, Nënë Tereza u shtrua në një spital të Kalkutës pasi pati probleme në zemër, ajo vuante edhe nga malaria dhe pneumonia.

Në qershor të vitit 1997 Nënë Tereza erdhi në Uashington për të marrë Mendaljen e Artë, që jep Kongresi amerikan. Gjatë prezantimit të çmimit, kreu i atëhershëm i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich tha se jeta e Nënë Terezës demonstron se "përulësia mund të jetë famë, dobësia mund të jetë fuqi, zemërbutësia mund të jetë forcë dhe dashuria mund të kapërcejë urrejtjen."

Pas ceremonisë së çmimit, Nënë Tereza vizitoi degët e organizatës së saj në Shtetet e Bashkuara.

Në jug të Bronksit në Nju Jork, ajo u vizitua nga Princesha Diana e Uellsit. Pas takimit, Nënë Tereza dhe princesha përshëndetën një grup admiruesish.

Shenjtërimi i Nënë Terezës në Vatikan ka nxitur shpresat e indianëve se Papa Françesku do të vizitojë Kalkutën.

XS
SM
MD
LG