Lidhje

Romë, një Kishë me emrin e Nënë Terezës


Kisha në periferi të kryeqytetit italian pritet të përfundojë në dy muajt e ardhshëm. Ajo është konceptuar përmes një arkitekture ku elementët fetar ndërthurren me stilin modern

ROME

Ponte di Nona është një lagje e re në periferi të Romës. E ndërtuar në dhjetëvjeçarin e fundit ajo është një zonë e populluar nga 15-20 mijë banorë, përgjithësisht nga shtresa të varfëra, njerëz me pak të ardhura dhe me problemet e zakonshme sociale që i shoqërojnë.

Një kishë për Nënë Terezën në Romë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:59 0:00

Në zemër të kësaj lagjeje janë në përfundim e sipër punimet për ndërtimin e kishës e cila do të mbajë emrin e Nënë Terezës, tanimë shenjtore, Kisha e së shenjtës Tereza e Kalkutës.

Punimet kanë nisur pak më shumë se dy vjet më parë dhe pritet të përfundojnë brenda dy muajve të ardhshëm, përpara se të mbyllet dhe viti i Jubileut, i shpallur nga Papa Françesku, vit në të cilin, shenjtërimi i Nënë Terezës të dielën e shkuar më 4 shtator ishte dhë një ndër ngjarjet më të rëndësishme.

Arkitekti italian Marco Petreschi, i njohur dhe në Shqipëri për rikonstruksionin e Bankës Qendrore të vendit, u përzgjodh për projektimin e Kishës që do të mbajë emrin e shenjtores me origjinë shqiptare. Ai tregon për Zërin e Amerikës se gjatë fazës së konceptimit të projektit nuk mund të mos mendonte për figurën e Nënë Terezës: “Gjithshka është frymëzuar prej figurës së saj, duke nisur nga ai gjesti që ka mallëngjyer gjithë botën, përkuljen që kjo grua e vogël por e madhe njëkohësisht, kryente ndaj atyre që kanë nevojë. Pra kjo mënyrë e përkuljes ndaj të varfërve, ka përcaktuar menjëherë linjat e para për të skicuar kishën, që të mos ishte një objekt i mbyllur e kompakt, por dinamik. Domethënë, ajo përkulet ndaj atyre që kanë nevojë dhe në të njejtën kohë bën që ky gjest të na afrojë ndaj diçkaje të mbinatyrshme”

Nënë Tereza dhe misionaret e saj dallohen sot në të gjithë botën për shkak të veshjes së tyre karakteriste, e cila gjithashtu ka qenë një tjetër pikë frymëzimi për arkitektin Petreschi, duke menduar, siç tregon ai, dhe “pastërtinë e figurës së saj e cila mes të tjerash përfaqësohet dhe nga veshja e bardhë. E për këtë arsye e gjithë kisha është e bardhë, ndërsa vijat bojëqielli në veshjen e saj përfaqësohen nga qielli. Pra këto dy ngjyra shkrihen mes tyre përmes një objekti material që është ndërtesa e kishës, dhe diçkaje jo materiale që është qielli”.

Kisha është larg të qenit modeleve tradicionale. Ajo është e stilit modern, që ndërthurret me elementët fetar. Në brendësi ajo mbahet nga 12 kollona që përfaqësojnë 12 apostujt, ndërsa po ashtu edhe këmbanorja ka domethënien e vet. “Kam menduar se cilado kishë është shtëpia e zotit, prandaj dhe doja që këmbanorja të transformohej në diçka simbolike për njerëzit që janë përreth. Ajo është e përfaqësuar nga tre ndarje si të personifikonin në mënyrë abstrakte trininë, Atin, Birin dhe Shpirtin e shenjtë”, shpjegon arkitekti.

E gjitha ndërtesa e cila ngrihet në sheshin qëndror të kësaj lagjeje synon të kthehet në një pikë referimi për banorët por dhe identiteti shpjegon Petreschi: “Jemi në periferi të Romës, një prej shumë periferive të saj me problemet e veta, me këto banesa që nuk I japin asnjë identitet që të jetë i afërt me Romën. Prandaj mendova këtë formë që të kontrastonte me këtë monotoni. Ndërkohë që materiali i përdorur, sjell identitetin. Ajo që bashkon shumë objekte të rëndësishme në Romë, bazilikat, ndërtesat e mëdha, Shën Pjetrin, është kjo veshje” me material që nxirret nga shkëmbinj e që është përdorur në Romë që prej mijëvjecarit të parë para krishtit.

I veçantë është dhe kryqi i cili gjithashtu nuk është klasik, "është si të themi, diçka gati transparente – thekson arkitekti italian - Kryqi na lejon të shikojmë qiellin. Pra nuk është një element që bllokon shikimin, por sipas meje nxjerr në pah pikërisht funksionin e tij, pra që personi i cili lutet, të ketë mundësinë t’i drejtohet atij që qëndron lart”.

XS
SM
MD
LG