Lidhje

Arkitektura e periudhës sovjetike në Moskë


Që nga koha e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik thuajse 25 vjet më parë, kryeqytetit rus i ka ndryshuar pamja në mënyrë dramatike, ndërsa investimet dhe rritja ekonomike sollën një vërshim ndërtimesh. Shumë ndërtesa të vjetra u lanë të rrëzohen. Por ndërsa grataçielat e periudhës staliniste në Moskë mbrohen si ikona, aktivistët rusë thonë se arkitektura “avant-garde” e viteve 1920 në Bashkimin Sovjetik, që dikur pati ndikim në mbarë botën, rrezikohet të zhduket. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Daniel Schearf njofton nga Moska:

Ky grup turistësh në Moskë po e anashkalon Kremlinin në Sheshin e Kuq dhe Katedralen e Shën Basilit, për të vizituar disa ndërtesa më pak të njohura të kryeqtetit rus.

“Mendoj se Konstruktivizmi dhe rryma “avant-garde” ruse janë fenomeni më i shkëlqyer në arkitekturën e Rusisë. Shumë njerëz kujtojnë stilin stalinist, por harrojnë atë avant-gardë,"- thotë ky turist.

Ndërtesat staliniste të Moskës, të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat dominojnë horizontin dhe që njihen si "Shtatë motrat", janë në vetvete ikona dhe të mbrojtura mirë.

Por ndryshe ndodh me arkitekturën “avant-garde” të viteve 1920. Ajo po mbijeton me shumë vështirësi, megjithë ndikimin global të asaj që dikur konsiderohej si stil modern ndërkombëtar.

“Është e qartë, se stili perandorak i përket një prirjeje të përgjithshme në Rusi. Po ashtu përkon me idenë klasike të bukurisë, me kolonat, apo fasadat e zbukuruara, ndërkohë që modernizmi nuk është pranuar këtu nga masat e gjera të popullsisë."- thotë arkitektja.

Aktivistët thonë se interesave komerciale u jepet më shumë rëndësi se sa ruajtjes së objekteve ekzistuese.

Një projekt për t'i kthyer ndërtesat e stilit “avant-garde” të ish uzinës së prodhimit të makinave ZiL në një kompleks ndërtesash luksoze, është në fakt një përpjekje për ruajtjen e objekteve, thonë ndërtuesit.

“Edhe pse ende në fazën e parë, tek ky projekt kemi shembuj të ruajtjes së pjesshme dhe të plotë të objektit."

Ndërsa nevojitet një dialog më i mirë me publikun, autoritetet e qytetit e i kanë përmirësuar politikat për ruajtjen e objekteve dhe kritikat janë të ekzagjeruara, argumenton kryearkitekti i Moskës:

“Në se i hedh një vështrim rreth e rrotull godinave të rrëzuara kohët e fundit, është e qartë se ato nuk janë aspak interesante dhe nuk kanë status. Së dyti, vlerat e tyre janë të debatueshme."

Por edhe ata moskovitë që nuk e pëlqejnë stilin sovjetik “avant-garde”, thonë se duan që ai të ruhet, krahas me objektet e tjera të trashëgimisë së qytetit.

Ndërkohë, Moska vazhdon të eksperimentojë me arkitekturën ultra-moderne, ndërsa qyteti është ri-projektuar për të qenë më i pëlqyeshëm për këmbësorët.

XS
SM
MD
LG