Lidhje

Kongresi dhe përpjekjet për miratimin e buxhetit


Kongresit amerikan i ka mbetur pak kohë për të miratuar buxhetin e vitit të ardhshëm fiskal. Të premten në mesnatë qeverisë federale i skadon autoriteti për të shpenzuar dhe, deri tani, demokratët dhe republikanët nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord për një zgjatje të përkohshme të financimit të qeverisë, e aq më pak një mase njëvjeçare për vitin e ri fiskal që fillon më një tetor.

Është bërë tashme një ritual vjetor në Uashington, që ligjvënësit të kenë mosmarrëveshjet sa herë diskutohet buxheti i qeverisë, ndërkohë që mundësia e një mbylljeje të pjesshme të qeverisë po afrohet. Synimi i menjëhershëm është miratimi i një ligji për financimin e përkohshëm të qeverisë ose miratimi i një mase njëvjeçare që do të mbante shpenzimet qeveritare në të njejtin nivel me vitin e tanishëm fiskal.

"Ne po flasim për miratimin e një buxheti të përkohshëm që do të financonte qeverinë deri më 9 dhjetor, dhe pas zgjedhjeve do të mblidhemi për të vendosur për financimin e qeverisë për pjesën tjetër të vitit të ardhshëm fiskal", thotë senatori republikan Mitch McConnell.

Ligjvënësit që po bëjnë fushatë për t’u rizgjedhur në nëntor kanë një nxitje më të madhe për t’i përfunduar punët e Kongresit menjëherë dhe për të kthyer vëmendjen tek fushata zgjedhore. Republikanët kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit dhe janë duke mbrojtur më shumë vende sesa demokratët.

Paul Ryan, kryetar i dhomës së përfaqësuesve:

"Ne duam të bëjmë punën tonë. Nuk duam që këtu të ketë debate dramatike në këtë kohë."

Senatori demokrat Chuck Schumer thotë se, "Republikanët janë si nxënësit që kërkojnë të marrin pushim më herët.Ata duan t’u kërkojnë njerëzve votat në vend se të punojnë për ta."

Negociatat prapa dyerve të mbyllura thuhet se kanë çuar në arritjen e një marrëveshje për të luftuar virusin Zika. Por dallimet mbeten të mëdha mbi tema të tjera, si fonde për të rregulluar problemin e kontaminimit të ujit të pijshëm në një qytet.

"Ky është një Kongres shumë i papërgjegjshëm. Njerëzit për të cilët ne po luftojmë këtu janë të padukshëm për republikanët, dhe ata janë indiferentë ndaj nevojave të tyre", thotë ligjvënësja demokrate Nancy Pelosi.

Tani për tani, askush nuk është në panik. Senatori republikan Mitch McConnell:

"Mendoj se ne jemi afër finalizimit të një marrëveshje."

Edhe në qoftë se shmanget mbyllja e qeverisë, një qasje e përkohshme ndaj financimit të qeverisë nuk është pa kosto për Pentagonin dhe agjencitë e tjera federale.

"Paqëndrueshmëria buxhetore dëmton aftësitë planifikuese dhe përdorimin efikas të parave të taksapaguesve, shpesh në mënyra që atanuk mund t’i shohin. Kjo befason miqtë tanë, dhe i trimëron armiqtë. Kjo nuk është një gjë e mirë nga pikëpamja menaxhuese dhe strategjike, është e padrejtë dhe dekurajuese për trupat tona, familjet e tyre, dhe personelin tonë", shprehet Sekretari i Mbrojtjes Ash Carter.

Por është më mirë të miratohet një masë për financimin e përkohshëm të qeverisë se sa të mbyllet qeveria, prandaj Shtëpia e Bardhë po i bën thirrje Kongresit që të shmangë mundësinë e mbylljes së qeverisë.

XS
SM
MD
LG