Lidhje

Çmimi i naftës dhe burimet alternative të energjisë


Një marrëveshje e sapoarritur ndërmjet vendeve anëtare të OPEC-ut për të ulur nivelin e prodhimit të naftës, rriti çmimin e naftës bruto gjatë kësaj jave. Vendimi u mor pas gati dy vitesh rënieje të çmimit, që dëmtoi vendet prodhuese dhe kompanitë e tyre. Ekspertët e naftës në Uashington thonë se pavarësisht kostos së naftës, ekonomia më e madhe e botës duhet të kërkojë alternativa të tjera ndaj naftës së importuar.

Përdorimi i një teknike komplekse të çpimit nëpërmjet injektimit, solli një rritje të prodhimit të naftës gjatë viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara.

Por ndërkohë, paqëndrueshmëria e rritjes ekonomike në Kinë dhe shtimi i makinave elektrike dhe hibride, si dhe i alternativave të tjera, ka ulur kërkesën për naftë.

Në të kaluarën, vendet e OPEC-ut, të cilat prodhojnë 1/3-tën e naftës së botës, kanë ranë dakort të ulin nivelin e prodhimit. Në përputhje me ofertën dhe kërkesën, çmimet rrjedhimisht rriteshin.

Një ekspert i energjisë në Uashington thotë se një manipulim i tillë i tregut dëmton tregjet e lira dhe iniciativën e udhëheqësve të biznesit në Perëndim.

“Për sa kohë që jemi të ndërvarur nga nafta për të gjitha nevojat tona të transportit, do të varemi gjithnjë nga kapriçot e një tregu botëror të naftës që nuk është gjithnjë i lirë.”

Zoti Diamond thotë se përgjysmimi i përdorimit të naftës do të ndihmonte sigurinë dhe begatinë e Shteteve të Bashkuara.

“Çdo rënie ekonomike e kohërave moderne është paraprirë nga një rritje e çmimit të naftës që është një faktor në të gjitha ngjarjet botërore, gjeopolitikën dhe çështjet ushtarake.”

Një tjetër analist, Simon French i firmës “Panmure Gordon”, mendon se kërkesa për naftë mund të mos jetë e vazhdueshme.

“Ndërsa po përparohet me zhvillimin teknologjik dhe me investime në burimet e rinovueshme në SHBA, Kinë dhe Evropë, po çpohet për të marrë sa më shpejt naftën për të garantuar të ardhurat.”

Ndërkohë, Richard Hunter i firmës së investimeve “Wilson King” nuk është i bindur se OPEC-u do të bindë vendet e ndryshme anëtare të zbatojnë uljen e nivelit të prodhimit.

“Ka skepticizëm nëse do të zbatohen këto shkurtime. Përveç kësaj, është edhe çështja e vendeve që nuk janë anëtare të OPEC-ut, të cilat nuk dihet sa do të përfshihen, p.sh. Rusia.”

Zbatimi i një marrëveshjeje që do të rriste çmimet kërkon negocime të vështira ndërmjet vendeve anëtare të OPEC-ut dhe vendeve të tjera naftëprodhuese.

XS
SM
MD
LG