Lidhje

Francë, fillon evakuimi i kampit të Kalesë


Burra dhe gra me valixhe dhe me sende të tjera personale kanë filluar të largohen nga kampi i refugjatëve në veri të Francës, pranë portit të Kalesë. Kampi i njohur me emrin "xhungla" do të prishet së shpejti.

Evakuimi i rreth 8 mijë emigrantëve që jetojnë në kushte të mjerueshme në kampin e improvizuar të refugjatëve pritet të kërkojë rreth një javë.

Emigrantëve do t’u ofrohet sistemimi në qendrat e refugjatëve në të gjithë Francën dhe mundësia për të kërkuar azil.

Por ka shqetësime se një pjesë e tyre nuk do të pranojnë të largohen, sepse kërkojnë të shkojnë në Britani përmes La Manshit.

"Kam dëgjuar se në qoftë se shkoj në Britani dhe më kanë marrë shenjat e gishtave në Itali, ndoshta qeveria britanike më kthen në Itali. Ky është problem këtu. Ne nuk mund ta durojmë dot këtë," thotë një emigrant sudanez.

Britania ka filluar të pranojë një pjesë prej fëmijëve të pashoqëruar që jetojnë në kamp dhe që numërohen në rreth 1 mijë e 300.

Disa refugjatë u përleshën me policinë, disa orë para se të fillonte evakuimi. Ata protestonin kundër prishjes së kampit.

Qeveria franceze tha se operacioni i zhvendosjes së emigrantëve bëhet për shkaqe humanitare.

Shkatërrimi i "xhunglës", synon të mbyllë një kapitull të vështirë në krizën evropiane të emigrantëve.

Kampi ka tensionuar marrëdhëniet mes Francës dhe Britanisë dhe ka shkaktuar tensione me banorët vendas në Kale.

XS
SM
MD
LG