Lidhje

Udhëheqësit shqiptarë urojnë Trumpin


Nuk kanë vonuar dhe reagimet nga Shqipëria për fitoren e Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. I pari që është shprehur lidhur me rezultatin ishte ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Përmes një postimi në Twitter, ministri Bushati shpreh urimet ndaj Donald Trump-it, ndrsa thekson se “Roli i Shteteve të Bashkuara është kyç për stabilitetin dhe demokracinë në këtë kënd të Europës”, shkruan ministri i Jashtëm shqiptar, ndërsa kujton se “Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë partnerë strategjikë”.

Fitorja e Donald Trump-it e vë në një pozitë jo fort komode qeverinë shqiptare, për shkak të qëndrimeve publike të kryeministrit Edi Rama, edhe në mediat amerikane, kundër zgjedhjes së tij, duke e konsideruar një gjë të tillë “një kërcënim për vetë Amerikën por edhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”. Por në një status të tij në Facebook, kryeministri Rama shkruan sot se “populli amerikan bëri sot zgjedhjen e tij. Një mike e madhe e Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve, Hillary Clinton, nuk i'a doli dot të bëhet Presidentja e parë grua në historine e Shteteve të Bashkuara.

Tiranë: Zyrtarët komentojnë zgjedhjet amerikane
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:16 0:00

Kundërshtari i saj, Donald Trump, u zgjodh Presidenti i dyzetepestë i SHBA, duke e bindur Sovranin të votojë alternativën e tij, pas një debati të pazakonshëm brenda e jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Ndërsa duke I uruar më pas “Presidentit Trump fitoren dhe të gjithë suksesin që amerikanët dhe miqtë e partnerët e SHBA, i urojnë atij vendi të madh, kam bindjen se marrëdhënia jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara, do të vijojë të forcohet në funksion të vlerave e të interesave të perbashketa, të cilat e bëjnë Shqipërinë nje mik e aleat të çmuar të popullit e të qeverisë amerikane”, përfundon kryeministri Rama.

Urime ka përcjellë edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha, sipas të cilit rezultati I zgjedhjeve në SHBA, “është një mësim i çmuar demokracie që Shtetet e Bashkuara, populli amerikan i dhanë sot mbarë botës, Europës, Shqipërisë dhe shqiptarëve se vullneti i qytetarëve, vota e qytetarëve është ajo që vendos në demokraci, se fatin e njerëzve, fatin e qytetarëve në demokraci e përcaktojnë vetë qytetarët”. Zoti Basha, u shpreh “i bindur që zgjedhja e tij dhe marrja e detyrës nga ana e tij në muajt e ardhshëm do të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të shërbejë patjetër për forcimin dhe rimëkëmbjen e demokracisë shqiptare”.

Edhe ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, u shpreh I sigurt se marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë nuk do të ndryshojnë. ““SHBA kanë zgjedhur presidentin e 45-të të SHBA, Donald Trump. Këto zgjedhje ishin një votë për ndryshim në SHBA. Por kjo nuk do të thotë ndryshim në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA. SHBA dhe Shqipëria kanë pasur marrëdhënie të ngushta si përgjatë administratave republikane dhe atyre demokrate. Jam besimplotë që marrëdhëniet tona do të mbeten të ngushta në administratën Trump”, u shpreh ambasadori Lu.

XS
SM
MD
LG