Lidhje

Anija shqiptare, mision në Egje


Një anije e forcave ushtarake detare shqiptare u nis sot për t’iu bashkuar operacionit të Natos në detin Egje për parandalimin e flukseve të emigrantëve që nisen kryesisht nga Siria drejt brigjeve turke dhe greke. Anija shqiptare “Oriku”, ka një ekuipazh prej 21 trupash, dhe do të ketë si mision, monitorimin, kërkimin dhe ndihmën në zonën e përcaktuar të operacionit të Natos.

““Pasiguria në rritje, në Mesdheun lindor e jugor, ka sjellë nevojën e një reagimi të përbashkët nga të gjitha vendet e Aleancës sonë. Ngjarjet që ndodhin në Siri, Irak dhe jo vetëm, demonstrojnë rëndësinë që ka NATO për të qenë e mirëpërgatitur dhe e kudogjendur për t’iu përgjigjur çdo krize të mundshme”, deklaroi gjatë ceremonisë në portin e Durrësit përpara nisjes së anijes shqiptare, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Sipas saj, ky mision “përbën një nga angazhimet më të rëndësishme për Forcat tona të armatosura, që nga nisja e procesit të anëtarësimit në NATO”. Ministrja Kodheli theksoi se “prania jonë në detin Egje, në rradhë të parë i takon solidaritetit që Shqipëria tregon ndaj fqinjëve dhe aleatëve. Ushtarakët tanë kanë qenë në çdo pikë të nxehtë të globit, por tani problemet janë afruar në kufinjtë tanë. Dhe ne duhet të jemi aty”.

Shqipëria ka vendosur që vitin e ardhshëm të dyfishojë praninë e saj në Afganistan si dhe në Kosovë, ndërsa do të dërgojë një njësi ushtarake edhe në mbështetje të trupave që Nato do të angazhojë për të përforcuar kufirin e saj lindor me Rusinë. Trupat shqiptare do të jenë pjesë e batalionit që do të udhëhiqet nga Kanadaja e ku bëjnë pjesë edhe ato italiane, sllovene dhe polake, njëri prej katër batalioneve që do të vendosen në tre shtete balltike dhe në Poloni.

XS
SM
MD
LG