Lidhje

Filmi "Fantastic Beasts" sjell botën magjike në ekran


Filmi “Bishat fantastike dhe ku t’i gjejmë ato” rikrijon botën magjike në ekran me të cilën u dashuruam tek Harry Potter, por pa karakterin e tij mitik Potter. Autorja e famshme e librit ka shkruar skenarin duke prezantuar shoqërinë magjike të Nju Jorkut që i ndan një oqean prej shkollës së magjistarëve në Britani.

Nju York 1926. Një forcë shkatërruese gjendet e lirë në rrugët e qytetit.

Shoqëria e të gjithë atyre me fuqi magjike, që jetonin në fshehtësi, tashmë ndodhet përpara një trazire, i druhet frikës së zbulimit dhe përplasjes me ata që njihen si njerëzit pa fuqi magjike.

Kongresi amerikan i magjistarëve dyshon se Newt Scamander është arsyeja e këtij shpërthimi. Zoologu britanik me fuqi të mbinatyrshme që mbriti në Nju Jork me një valixhe plot krijesa magjike në rrezik për tu zhdukur, planifikon t’i lëshojë ato në mjedisin e tyre natyral. Newt Scamander ishte autor i një libri të famshëm që Harry Potter përdorte në shkollë.

Ndërsa shkruaja Harry Potter pata një rritje interesi mbi figurën e Newt Scamander. Dija shumë për të. Ai udhëtonte nëpër botë për të studiuar krijesat magjike”-thotë J.K Rowling, autore e Harry Potter.

Fituesi i Oskarit Eddie Redmayne luan rolin e Newt Scamander, i cili e gjen veten në qendër të një situate kritike kur disa prej krijesave të tij arratisen. Kafshët e tij besohet se janë përgjegjëse për vdekjet dhe shkatërrimet në qytet.

Scamander ndihmohet prej dy magjistareve dhe Jacobit, një njeri pa fuqi magjike, që synon të bëhet bukëpjekës, me të cilin takohet pasi shkëmbejnë rastësisht valixhet. Valixhja e Jacobit ishte plot me petulla.

Magjistari kërkon të gjejë krijesat që janë arratisur për të kuptuar se kush qëndron pas sulmeve.

Ka mënyra sesi ne lidhim librat e Harry Potter, që njerëzit mund t’i shohin si surprizuese. Po flasim për herën e parë kur një magjistar rritet dhe kërcënon rendin botëror”- thotë J.K Rowling, autore e Harry Potter.

Tema që përshkron Harry Potterin kundër fanatikëve dhe idesë së pastërtisë racore përsëritet në filmin “Bishat fantastike dhe ku t’i gjejmë ato”. Por ndërsa fansat e Potterit mund t’i gëzohen mesazhit dhe magjisë së filmit të ri, skenari shpesh është monoton dhe aktorët jo gjithnjë lidhen me njëri –tjetrin e të emocionojnë sikurse Harry Potter. Megjithatë autorja J.K. Rowling premton se pavarësisht fillimit të avashtë pritet shumeë të ndodhë dhe deri atëherë fansat e Harry Potter mund të jetojnë me këtë premtim.

XS
SM
MD
LG