Lidhje

Mungesë mekanikësh në Forcën Ajrore


Zëri i Amerikës ka raportuar më parë se Forca Ajrore e Shteteve të Bashkuara ka shumë pak skuadrone luftarakë për të përmbushur nevojat për misione luftarake në botë. Por ka edhe një krizë tjetër që ndihet më shumë brenda vendit: mungesa e mekanikëve të nevojshëm për të mirëmbajtur aeroplanët. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb njofton.


Avionët luftarakë nuk do të ishin në gjendje të ngriheshin për fluturime pa mirëmbajtje. Por kohët e fundit, numri i mekanikëve që i riparojnë ata, ka rënë. Sot janë 4 mijë më pak se sa nevojat.

“Kjo shkakton probleme”, thotë Niku, një mekanik avionësh.

Ngarkesa e punës në bazën ajrore Langley-Eustis është e madhe, ndërsa punohet për të mirëmbajtur dy lloj avionësh; F-22, i kohës së sotme dhe T-38, një avion që është rreth 50 vjeçar dhe ka nevojë për riparime të shpeshta.

“Çdo ditë, ose të paktën një herë në dy ditë, sjellim një avion që ka nevojë për mirëmbajtje para se të fluturojë përsëri. Puna vazhdon edhe natën që avionët janë të gatshëm për të fluturuar të nesërmen”, thotë piloti “Buff”.

Por, pavarësisht nga mungesat, mekanikët vazhdojnë punën intensivisht.

“Sot po bëjmë më shumë, me më pak burime, por avionët duhet të ngrihen. Ne do ta bëjmë këtë të mundur, por pa dyshim është bërë më e vështirë”, thotë mekaniku Nick.

Në Pentagon, zyrtarët e pranojnë se kështu nuk mund të vazhdohet.

"Ne kemi qenë në krizë për mekanikë për një kohë të gjatë, por ishim në gjendje të përmbushnim misionin", thotë gjenerali i forcave ajrore John Cooper, përgjegjës për sektorin e mirëmbajtës. Ekipi i tij ka ardhur duke u shkurtuar si pasojë e shkurtimit të buxhetit nga Kongresi.

“Ne u ulëm në strukturën që kishim vitin e kaluar dhe u ndikuam nga shkurtimet buxhetore. Nuk ka dyshim për këtë, por kjo i takon tani historisë”.

Gjenerali Cooper dhe gjenerali Skot Vander Hamm, i cili është përgjegjës për numrin e pilotëve, thonë se Forca Ajrore nuk është më në gjendje të bëjë më shumë me më pak njerëz.

“Ne u kemi borxh atyre burimet e duhura njerëzore dhe duhet t’i plotësojmë tani”.

Por ndërsa mirëmbajtësit plotësojnë me sukses misionin e tyre, gjenerali Cooper thotë se pilotët nuk janë më në gjendje të përfundojnë misionet e tyre të rëndësishme të trajnimit.

“Vështirësitë më të mëdha i kemi brenda vendit ku duhet të stërvisim ekuipazhet për misione luftarake. Këtu fillojnë pengesat që nuk jemi në gjendje të kemi numrin e duhur të pilotëve”.

Forca Ajrore pati një mungesë prej 3800 mekanikësh në vitin 2015. Një shtim prej 500 mekanikësh u miratua këtë vit, por ende ka një mungesë prej 3,300 mekanikësh.

Në qoftë se buxheti e Forcës Ajrore nuk pakësohet, gjeneralët thonë se ata do të dalin nga vështirësitë e mungesës së fuqisë punëtore në vitin 2021.

XS
SM
MD
LG