Lidhje

SHBA, luftë kundër dezinformimit në internet


Shtetet e Bashkuara mund ta forcojnë në shkallë të gjerë luftën kundër propagandës së huaj në internet nëse Kongresi miraton një pjesë të Ligjit për Mbrojtjen Kombëtare, që parashikon 160 milionë dollarë për këtë qëllim gjatë më shumë se dy vjetëve të ardhshëm.

Një komision i Kongresit i miratoi fondet dje. Kjo do të zgjeronte aftësinë e Qendrës së Angazhimit Global të Departamentit të Shtetit për të identifikuar dhe luftuar keqinformimin në internet. Kjo masë duhet të miratohet tani nga seanca e plotë e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit si dhe të nënshkruhet nga presidenti, para se të hyjë në fuqi.

Përpjekjet për të luftuar propagandën ruse në vendet e Evropës Lindore, i filloi senatori republikan Rob Portman. Fokusi është zgjerimi i përpjekjeve kundër propagandës që ka në shënjestër Shtetet e Bashkuara, pas raporteve të agjencive të zbulimit se Rusia është përpjekur të ndikojë te zgjedhjet presidenciale amerikane, duke vjedhur dhe publikuar emailet e kreut të fushatës së zonjës Clinton, John Podesta.

"Ky kërcënim me propagandë dhe keqinformim është real. Është në rritje, dhe qeveria amerikane ka rënë në gjumë mbi timon," tha zoti Portman në një deklaratë zyrtare. “SHBA dhe aleatët tanë përballen me shumë sfida, por ne duhet të luftojmë më mirë kundër operacioneve të gjera propagandistike dhe dezinformuese të drejtuara kundër nesh," tha ai.

Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur se është përpjekur të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve dhe Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se nuk kishte ndonjë preferencë mes dy kandidatëve.

Përveç luftës kundër dezinformimit në internet, ligji i ri do të krijonte një program grantesh për të financuar gazetarinë e pavarur në Rusi dhe vende të tjera.

XS
SM
MD
LG