Lidhje

Arrestime në Tunizi - lidhje me Anis Amrin


Autoritetet në Tunizi kanë arrestuar nipin e të dyshuarit për sulmin në tregun e Berlinit, Anis Amri, së bashku me dy të dyshuar të tjerë islamik të lidhur me Amrin, tha sot ministria e brendshme.

Tre të dyshuarit thuhet të jenë anëtarë të një cellule terroriste të lidhur me terroristin Anis Amri thuhet në deklaratë. Ata u arrestuan të premten.

Ndërkohë qindra njerëz dolën sot në një miting kundër ekstremizmit në Tuniz. Ata i kërkuan qeverisë të sjellë në atdhe shtetasit tunizianë që jetojnë jashtë dhe kanë lidhje me organizatat ekstremiste, në mënyrë që të përballen me drejtësinë në vendin e tyre.

Mitingu ndodhi jashtë muzeut Bardo, ku një sulm ekstremist ndodhi vitin e kaluar për të cilin e mori përgjegjësinë grupi Shteti Islamik. Persona të armatosur vranë 22 persona në mars të vitit 2015 – përfshi 21 turistë të huaj dhe një polic tunizian.

Gjermania vazhdon kërkimet

Arrestimet në Tunizi u bënë ndërkohë që Gjermania vazhdon kërkimet për bashkëpunëtorë të mundshëm të autorit të dyshuar të sulmit me kamion në Berlin, një ditë pasi ai u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë italiane në Milano.

Ndërsa vendi po përgatitet sot për të festuar natën e Krishtlindjes, autoritetet gjermane thanë se qindra hetues do punojnë për këtë çështje gjatë gjithë sezonit të festave.

Kryeprokurori federal, Peter Frank, tha dje në Berlin se hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse 24-vjeçari tunizian Anis Amri pati një rrjet mbështetës.

Zoti Frank tha se gjurmët e gishtave konfirmuan se Amri ishte personi që kreu sulmin ditën e hënë duke marrë jetët e 12 personave dhe duke plagosur 56 të tjerë. Ai shtoi megjithatë se hetimi do të zgjasë.

“Është shumë e rëndësishme të zbulojmë nëse pati një rrjet mbështetësish dhe bashkëpunëtorësh, apo persona të afërt që e ndihmuan të përgatiste dhe të kryente sulmin, si dhe që më vonë të arratisej”, tha zoti Frank.

Në kërkim të bashkëpunëtorëve

Kancelarja gjermane Angela Merkel konfirmoi se hetimi do të përqëndrohet tek bashkëpunëtorët e mundshëm.

Amri mendohet se rrëmbeu kamionin që përdori për të goditur njerëzit në tregun e Krishtlindjes në Berlin dhe për këtë sulm deklaroi autorësinë më vonë Shteti Islamik.

Në një video të qarkulluar dje nga burime të ISIS-it shfaqet Amri duke bërë thirrje për më shumë sulme në Evropë.

Videoja që u botua nga “Amaq”, një agjensi lajmesh e lidhur me ISIS-in, nuk është konfirmuar nga burime të pavarura, por kjo agjensi ka nxjerrë në të kaluarën materiale të besueshme.

XS
SM
MD
LG