Lidhje

Maqedoni, parashikimet mbi formimin e qeverisë


Pas rivotimit të nesërm në Tearcë afër Tetovës, do të jetë e qartë se cila nga dy partitë maqedonase do të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re. Por, cilat do të jenë variantet nëse edhe VMRO-DPMNE edhe Lidhja Social Demokrate dalin me nga 50 mandate, secila? Ekspertët ligjorë thonë se kushtetuta i sqaron këto rrethana

Pas rivotimit në Tearcë pranë Tetovës këtë të diel dhe zyrtarizimit të rezultatit të zgjedhjeve, vijon çështja më e rëndësishme dhe më e pritur - që është formimi i qeverisë; Se kush do ta formojë atë, duke pasur parasysh shifrat e mandateve të fituara. Eksperët e shpejgojnë mënyrën ligjore por dhe aspektet politike, në rast se nuk ka një fitues të qartë të zgjedhjeve parlamentare.

Profesori Mersim Maksuti thotë se në rast se të dy partitë maqedonase pas rivotimit të së dielës në Tearcë dalin me nga pesëdhjetë mandate në parlament, çështja në aspektin ligjor dhe kushtetues është shumë e qartë: në një afat dhjetë ditorë pas konstituimit të parlamentit, presidenti i vendit duhet t’ia ndajë mandatin partisë ose koalicionit që ka më shumë vende në parlament.

Por çka mund të ndodhë nëse ndonjë prej palëve mund të bojkotojë dhe të zvarrisë procesin e formimit të qeverisë? Zoti Maksuti zgjidhjen e problemit të kësaj natyre e shikon tek gjetja e një zgjidhjeje politike.

Ai vlerëson se faktori politik shqiptar, përkatësisht partitë të cilat fituan vende ligjvënësish në parlament duhet të bashkërendojnë qëndrimet për të formuar qeverinë e vendit.

Nga ana tjetër, partitë shqiptare nuk kanë bërë thirrje publike për mbështetjen e njërës apo partisë tjetër maqedonase në rivotimin e së dielës. Ato thonë se kjo nuk është betejë e tyre dhe ua lënë votuesve shqiptare të vendosin ashtu siç parapëlqejnë vetë.

VMRO-DPMNE në zgjedhjet e 11 dhjetorit mori 307 vota më tepër se LSDM në zonën e gjashtë zgjedhore që përfshinë Tetovën, Gostivarin, pjesë të Dibrës së Madhe dhe të Kërçovës dhe natyrisht Tearcën, në veriperëndim të Maqedonisë. Sipas modelit zgjedhor të Dontit, që ka Maqedonia, VMRO-ja fitoi një mandat më tepër prej LSDM-së në këtë zonë; por pas konstatimit të parregullsive, gjasat janë të mëdha që rezultati i përgjithshëm i zgjedhjeve të dalë i barabartë tek këto dy parti, gjegjësisht, secia të marrë nga pesëdhjetë vende në parlament.

XS
SM
MD
LG