Lidhje

Turqi-Rusi, marrëveshje armëpushimi për Sirinë?


Russia Syria
Russia Syria

Njoftimet nga Ankaraja thonë se Turqia dhe Rusia kanë përgatitur një marrëveshje armëpushimi për Sirinë, por Rusia refuzon të komentojë mbi njoftimet dhe grupet e rebelëve thanë se nuk është rënë dakort për ndonjë marrëveshje zyrtare.

"Ka dy tekste gati për një zgjidhje në Siri”, citohet të ketë thënë të mërkurën ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusoglu gjatë një ceremonie në Ankara. “Njëra është rreth një rezolute politike dhe një tjetër rreth një armëpushimi. Ato mund të vihen në zbatim në çdo moment.”

Agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu, citoi një burim zyrtar të ketë thënë se armëpushimi mund të hyjë në fuqi që të mërkurën në mesnatë. Por zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitri Peskov, ndërsa konfirmoi se të dyja palët ishin në komunikim të vazhdueshëm për Sirinë, refuzoi të komentojë mbi njoftimet për armëpushim, duke thënë se nuk kishte “informacion të mjaftueshëm”.

Moska dhe Ankaraja janë përfshirë në negociata intensive gjatë dy javëve të fundit. Në fillim të këtij muaji, të dyja palët arritën një marrëveshje armëpushimi dhe evakuimi për refugjatët nga enklava rebele në qytetin e Alepos. Javën e kaluar, ministrat e jashtëm të Turqisë, Iranit dhe Rusisë u takuan në Moskë për bisedime mbi Sirinë. Sipas ministrisë së jashtme turke, zoti Cavusoglu foli dy herë me telefon këtë javë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.

Rusia dhe Turqia mbështesin palë kundërshtare në luftën civile në Siri, por analistët thonë se të dyja vendet kanë arritur të kuptojnë rëndësinë e tyre për të zgjidhur konfliktin. “Këto përpjekje janë të rëndësishme, por ajo që do të përcaktojë domethënien e tyre të vërtetë është rezultati që do të arrijnë,” thotë analisti politik Semih Idiz me faqen elektronike, Al Monitor. “Pamë se këto përpjekje arritën disa rezultate në evakuimin nga Alepoja. Nëse armëpushimi funksionon, kjo do të jetë një linjë e re diplomatike shumë e rëndësishme për Sirinë.”

Një zyrtar i lartë turk i ministrisë së Jashtme, duke folur në kushte anonimiteti, konfirmoi se Ankaraja ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e rebelëve sirianë. Një përfaqësues i rebelëve, i cituar nga një agjenci lajmesh, tha se këto takime pritet të vazhdojnë gjatë ditëve të ardhshme.

Ankaraja dhe Moska kanë thënë se grupet terroriste nuk do të përfshihen në asnjë marrëveshje armëpushimi; por analistët paralajmërojnë se një pengesë e rëndësishme mbetet lidhur me përcaktimin e grupeve rebele që do të konsiderohen si organizata terroriste. “Ka përkufizime që nuk shkojnë. Rusia nuk e ka shpallur hapur se grupi Sirianët Kurdë është terrorist, ashtu siç e cilëson atë Turqia, thotë analisti Idiz. “Nga ana tjetër ka akuza të vazhdueshme se Turqia ka një lloj lidhjeje me grupe që Rusia i shikon si organizata terroriste.”

Roli i presidentit sirian Bashar al-Assad është gjithashtu një pengesë e mundshme. “E gjithë bota e di se nuk është e mundur të ketë një tranzicion politik me Assadin,” ka thënë ministri Cavusoglu. “Ne e dimë gjithashtu se është e pamundur për ata njerëz të bashkohen rreth Assadit.” Ky qëndrim kundërshtohet fuqishëm nga Moska, e cila këmbëngul se populli sirian duhet të vendosë vetë se kush e udhëheq.

Të martën, zoti Lavrov tha se Rusia, Irani dhe Turqia kanë rënë dakord se përparësia në Siri ishte lufta kundër terrorizmit dhe jo rrëzimi i qeverisë së Assadit.

Ankaraja ka lënë të kuptohet se nëse armëpushimi i planifikuar qëndron, qeveria siriane dhe grupet e opozitës do të jenë të pranishme në një takim të planifikuar për muajin e ardhshëm me Rusinë, Iranin dhe Turqinë në kryeqytetin Astana të Kazakistanit.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, foli në mbështetje të takimit në Kazakistan të martën gjatë një konference mbi përpjekjet e OKB-së në Gjenevë. “Fatkeqësisht, Gjeneva nuk arriti dot zgjidhje. Sa takime u zhvilluan? Dhe asnjë rezultat nuk u arrit,” tha zoti Erdogan.

Uashingtoni gjithashtu përballet me mundësinë e mënjanimit. Ndonëse Turqia dhe Shtetet e Bashkuara janë aleatë të Natos, mosmarrëveshjet lidhur me luftën civile në Siri i kanë dëmtuar marrëdhëniet. Zoti Erdogan akuzoi të martën Uashingtonin se po armatos Shtetin Islamik. “Absurditet,” ishte përgjigja nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mark Toner lidhur me akuzat.

Të mërkurën, ambasada amerikane në Ankara publikoi një deklaratë ku i hidhte poshtë akuzat. “Qeveria amerikane nuk mbështet Daesh-in, thotë ambasada, duke përdorur akronimin arabik për Shtetin Islamik. Shtetet e Bashkuara “nuk kanë krijuar apo mbështetur Daeshin në të kaluarën. Pohimet se qeveria amerikane po mbështet Daeshin janë të pavërteta”.

XS
SM
MD
LG