Lidhje

Vdes aktorja Debbie Reynolds një ditë pas vajzës së saj


 Debbie Reynolds and Carrie Fisher
Debbie Reynolds and Carrie Fisher

Aktorja amerikane Debbie Reynolds vdiq të mërkurën pas një hemoragjie cerebrale, vetëm një ditë pasi vajza e saj, aktorja Carrie Fisher u nda nga jeta.

Aktorja e njohur 84 vjeçare ndodhej në shtëpinë e djalit të saj në Bevërli Hills të Kalifornisë kur u ndje keq dhe u shtrua në një nga spitalet e qytetit.

I biri, Todd Fisher, ndërsa i konfirmoi shtypit lajmin e vdekjes së nënës së tij u tha se “ajo donte t’i bashkohej Carriet”.

Ajo është tani me të por ne na është thyer zemra”, tha djali i aktores, i cili humbi brenda një kohe të shkurtër dy prej njerzve të dashur.

Debbie Reynolds fitoi famë falë filmit klasik të vitit 1952 “Singin in the Rain”. Ajo u propozua për Oskar për rolin e saj në “The Unsinkable Molly Brown” si dhe ëçr çmimin “Tony” në 1973, për interpretimin e saj në një tjetër film muzikor "Irene”.

Aktorja u nderua me një “Oscar” nderi në 2015, por për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetsore nuk mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit prestigjoz. Statuja, në emër të saj, iu dorëzuar mbesës, aktores Billie Lourd.

Debbie Reynolds njihet për angazhimin në organizata bamirësie përfshirë këtu dhe një organizatë të themeluar nga vetë ajo, për shëndetin mendor.

Gjatë jetës së saj u martua tre herë. Ajo kishte dy fëmijë me këngëtarin e njohur Eddie Fisher, që e la aktoren për Elizabeth Taylor, një tjetër aktore me famë.

E bija, Carrie Fisher, që mori famë për shkak të rolit të princeshës Leia në filmin "Star Wars'', vdiq të martën në moshën 60 vjeçare. Gjatë një interviste ajo e ka cilësuar nënën e saj si një grua shumë të fortë, të cilën e admironte shumë.

“Ka patur vetëm pak gra të brezit të saj që kanë punuar sa ajo, që kanë mbajtur karrierën, kanë rritur fëmijët, në kushtet e mardhënieve të tmerrshme që ka patur me burrat e jetës së saj. Ajo humbi para, por i fitoi sërisht. Çfarë dua të them është që ka patur një jetë të jashtëzakonshme dhe është një njeri për t’u admiruar.

Nënë e bijë u shfaqën së bashku në dokumentarin “Bright Lights” që u shfaq për herë të parë në festivalin e Kanës, këtë vit.

XS
SM
MD
LG