Lidhje

Pirateria kibernetike ruse, temë e nxehtë në Uashington


Mosmarrëveshjet për piraterinë kibernetike ruse dhe përgjigjen e Shteteve të Bashkuara ndaj këtyre akteve vazhduan edhe në ditët e para të vitit të ri dhe pritet të jenë një ndër temat më acaruese në ditët e fundit të administratës Obama dhe në fillimet e administratës së ardhshme Trump.

Në vazhdim një përmbledhje e ngjarjeve që pasuan masat ndëshkimore amerikane ndaj Rusisë lidhur me piraterinë kibernetike dhe akuzat e administratës Obama për ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane:

Pasi diplomatët rusë boshatisën komplekset e pushimeve dhe u larguan nga Shtetet e Bashkuara, vendimi i Presidentit Obama për të urdhëruar dëbimin e diplomatëve u vu në pikëpyetje nga pasuesi i tij, Donald Trump:

“Unë di plot gjëra për piraterinë kibernetike. Është shumë e vështirë të provohet autorësia. Mund të ketë qenë dikush tjetër. Po ashtu di plot gjera që nuk i dinë të tjerët; pra administrata nuk ka si të jetë e sigurtë për ato që ndodhën”.

“Nëse zoti Trump do të gëzojë kredibilitet si president, duhet të mos bëjë komente të tilla,” reagon ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

Gjatë ditëve të fundit, një numër ligjvënësish me peshë nga të dyja partitë kanë dënuar veprimet ruse dhe kanë mbështetur marrjen e masave më të forta ndëshkimore.

“Në këtë përfundim kanë arritur shërbimet e zbulimit dhe të gjithë anëtarët e komisioneve të zbulimit në Kongres, qofshin demokratë apo republikanë. Askush nuk e vë në pikëpyetje. I vetmi që nuk është i sigurtë është Donald Trumpi,” thotë ligjvënësi Adam Schiff.

Por ndihmësit e afërt të Presidentit të zgjedhur Donald Trump thonë se ai thjesht po rezervohet në nxjerrjen e përfundimeve, deri kur të jetë informuar plotësisht mbi të dhënat që ka administrata Obama. Ata vënë në dukje gjithashtu se Rusia nuk është i vetmi vend që mbështet sulme të hakerëve.

“Në 2015 Kina grumbulloi mbi 1 milion dokumente me të dhëna sekrete. Të dhëna mbi njerëz si unë që kishim punuar në qeveri. Të dhënat mbi vetingun tonë. Nuk pati as deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, asnjë masë publike, asgjë,” thotë zëdhënësi i zotit Trump, Sean Spicer.

Grumbullimi i të dhënave mbi punonjës qeveritarë nuk është aq kritik sa nxjerrja e informatave kompromentuese gjatë fushatës zgjedhore, thonë ligjvënësit.

“Ja ku ndryshojnë veprimet e Rusisë: ata jo vetëm që vodhën të dhëna, por i përdorën si armë. Ata i nxorën këto të dhëna gjatë zgjedhjeve me synimin specifik që të ndikonin tek rezultati i votimeve dhe të mbillnin trazira në Shtetet e Bashkuara. Kina nuk e ka bërë kurrë këtë gjë,” thotë ligjvënësi Schiff.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka thënë se do të kundërpërgjigjet ndaj Amerikës, gjë që u përcoll me lëvdata nga zoti Trump:

“Shpresojmë të kemi marrëdhënie shumë të mira me shumë vende, përfshirë Rusinë dhe Kinën”.

Bazuar në komentet e deritanishme, duket se kur të vijë në Shtëpinë e Bardhë Donald Trumpi do të gjejë më shumë mirëkuptim me kreun e një qeverie të huaj se sa me presidentin aktual që do të zëvendësojë.

XS
SM
MD
LG