Lidhje

Izrael, kryeministri Natanjahu hetohet nga policia

  • Robert Berger

Hetuesit e policisë izraelite shkuan në rezidencën e Kryeministrit Benjamin Netanyahu në Jeruzalem, për të filluar një hetim penal rreth akuzave për praktika jo të rregullta financiare.

Zoti Netanyahu u mor në pyetje për tre orë, nën dyshimet se ka pranuar dhurata të paligjshme nga mbështetës të tij të pasur brenda dhe jashtë vendit.

Policia la të kuptohet se çështja është serioze, duke theksuar se kryeministri u mor në pyetje nën klauzolën e “kujdesit”, që nënkupton se çdo gjë që ai thotë mund të përdoret si provë kundër tij.

Zoti Netanyahu, prej një kohe të gjatë udhëheqës konservator i partisë së djathtë Likud, i quajti akuzat të pabaza. Ai madje kritikoi mediat, duke i akuzuar për “gjueti shtrigash”.

Sipas medias izraelite, zoti Netanyahu thuhet se ka marrë dhurata me vlerë prej dhjetëra mijë dollarësh, duke përfshirë udhëtime falas nga miliarderi australian James Packer.

Rreth Kryeministrit Netanyahu dhe gruas së tij Sara ka patur edhe më parë publicitet negativ, lidhur me stilin ekstravagant të jetesës, që është larg izraelitëve të thjeshtë, të cilët përballen me rritjen e madhe të kostos së jetesës.

XS
SM
MD
LG