Në Shqipëri autoritetet shtetërore dhe politike të vendit kanë reaguar me forcë ndaj ndalimit nga ana e policisë franceze të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, në pjesën franceze të aeroportit Basel-Mulhouse. “Ndalimi i Haradinajt një absurditet! E pabesueshme që urdhër-arrestet e Serbisë s'janë fshirë ende nga kompiuterat e BE-së. Skandaloze", u shpreh përmes një postimi në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama.
Ndalimi i tij u bë në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar që në vitin 2004 nga autoritetet serbe, të cilat e akuzojnë atë për krime luftë. Zoti Haradinaj është përballur me akuzat në Gjykatën e Hagës dhe është shpallur dy herë i pafajshëm. Këtij fakti i referohet edhe ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati i cili e cilëson “të dënueshëm” ndalimin dhe i bën “thirrje autoriteteve franceze, si një prej shteteve me kontribut thelbësor për Kosovën shtet, të qartësojnë situatën duke liruar menjëherë Ramush Haradinajn”. Zoti Bushati madje thekson se “ky akt për fat të keq dëmton procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Proces, i cili kërkon gjurmë provash të pakundërshtueshme, e jo përbetime artificiale, për të ecur me vendosmëri përpara, duke hequr dorë nga provokimet dhe aplikimi i metodave që s’kanë aspak lidhje me të ardhmen e përbashkët të Kosovës e Serbisë në familjen europiane”, ka deklaruar Bushati.
Në të njejtën linjë edhe kryetari i Parlamentit Ilir Meta sipas të cilit “ky veprim është i pakuptimtë, i papranueshëm dhe nuk ndihmon frymën e dialogut dhe bashkëpunimit të deritanishëm mes Prishtinës dhe Beogradit”. Zoti Meta gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve franceze dhe atyre të Bashkimit Evropian “për të zgjidhur këtë incident, për të qartësuar qëndrimin e tyre lidhur më këtë rast e për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen”.
Thirrje autoriteteve franceze u ka drejtuar edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha, në mënyrë që "të sqarojnë sa më parë këtë situatë", duke theksuar se "procedura të tilla burokratike dhe rudimentare perjetohen me shqetësim në hapësiren mbareshqiptare pasi ato prekin një ndër faqet më krenare të historise sonë, lirinë dhe pavarësine e Kosovës.”