Lidhje

Çmimet “Golden Globes” dhe politika


Mbrëmë në Los Anxheles u mbajt ceremonia e çmimeve Golden Globes. Filmi La La Land ishte fituesi kryesor i natës, me shtatë çmime. Aktorja Meryl Streep fitoi çmimin Cecil B. DeMille për arritjet e karrierës dhe kritikoi Presidentin e zgjedhur Donald Trump.

Pas marrjes së çmimit, zonja Streep foli rreth një ngjarjeje në jetën reale që ajo tha se “e la zemërthyer”– kritikat e presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe imitimi i tij përqeshës i një gazetari të New York Times-it me aftësi të kufizuara.

“Dhe ky instinkt për të fyer, kur është shembull nga një figurë publike, nga dikush me pushtet, prek jetën e të gjithëve, sepse është një lloj lejeje që u jepet të tjerëve të bëjnë të njëjtën gjë. Mosrespekti sjell më shumë mosrespekt. Dhuna nxit dhunë. Kur njerëzit me pushtet përdorin pozitën e tyre për t’u tallur me të tjerët, të gjithë ne humbim” tha zonja Streep.

ZotiTrump iu përgjigj kritikave të aktores nëpërmjet disa postimeve në Twitter sot në mëngjes. Ai mohoi se ishte tallur me gazetarin dhe e quajti zonjën Streep një nga aktoret më të mbivlerësuara të Hollivudit, dhe një servile të Hillary Clinton-it që humbi në zgjedhje.

Filmi La La Land ishte fituesi më i madh në Golden Globes. A mori shtatë çmime. Protagonistët Ryan Gosling dhe Emma Stone fituan çmimet për aktorin dhe aktoren më të mirë.

Ndërsa filmi Moonlight fitoi çmimin për dramën më të mirë. Casey Affleck fitoi çmimin për aktorin më të mirë në një film dramë për rolin e tij në Manchester by the Sea, ndërsa Isabelle Huppert mori çmimin për aktoren më të mirë në një dramë, për rolin e saj në filmin francez Elle.

Çmimet Golden Globes, që jepen çdo vit nga Shoqata e Shtypit të Huaj e Hollivudit, shërbejnë si reklamë për regjisorët dhe aktorët në prag të çmimeve prestigjoze Oskar që jepen në muajin shkurt.

XS
SM
MD
LG