Lidhje

SHBA do të ftohen nga Turqia dhe Rusia për bisedimet mbi Sirinë


Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara do të ftohen nga Turqia dhe Rusia për të marrë pjesë në bisedimet e reja të paqes për Sirinë, që pritet të zhvillohen këtë muaj në Kazakistan, tha ministri i jashtëm i Turqisë të shtunën.

Mevlut Çavusoglu kishte shprehur më parë mbështetje për pjesëmarrjen e SHBA në bisedime, edhe pse Rusia ende nuk e ka bërë publike se është dakord që në bisedime të ftohen zyrtarë amerikanë.

"Para së gjithash, siç e dini, ne kemi rënë dakord me Rusinë për të ftuar Shtetet e Bashkuara. Kam folur me ministrin rus Lavrov dhe ne do t’i ftojmë Shtetet e Bashkuara,” tha ai. "Ne nuk e mohojmë rolin e Shteteve të Bashkuara," tha zoti Çavusoglu.

Sekretari i ardhshëm i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, tha të premten se Rusia ka ftuar administratën Trump për të marrë pjesë në bisedimet e paqes.

Ftesa, sipas zotit Spicer, erdhi gjatë një telefonate më 29 dhjetor ndërmjet këshilltarit të zotit Trump, Michael Flynn dhe ambasadori rus Sergej Kislyak, në të njëjtën ditë që administrata Obama njoftoi se do të vendoste sanksione të reja ndaj Rusisë si përgjigje për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.

Administrata Obama ka qenë përjashtuar nga procesi i paqes pas ndërprerjes së bisedimeve me Rusinë në fund të dhjetorit. Si SHBA dhe Rusia akuzuan njëra-tjetrën se ishin përpjekur ta sabotonin raundin e mëparshme të bisedimeve.

Qeveria e Sirisë dhe luftëtarët rebelë ranë dakord për një armëpushim mbarëkombëtar më 30 dhjetor, pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Rusia dhe Turqia. SHBA nuk ishin të pranishme në këto bisedime.

XS
SM
MD
LG