Lidhje

Rreth 20 të vdekur nga stuhitë e fuqishme në SHBA


Stuhi të fuqishme kanë goditur pjesë të Shteteve të Bashkuara në dy ditët e fundit, duke vrarë rreth 20 njerëz dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Erërat e forta dhe shirat të hënën goditën rajonet në brigjet e Oqeanit Atlantik, pasi një tornado rrafshoi një park me shtëpi portative në shtetin jugor të Xhorxhias. Tornadot goditën edhe rajone të Misisipit, Luizianës dhe Karolinës Jugore. Ndërsa gjatë fundjavës, Kalifornia u godit nga stuhia e tretë më e fuqishme e shiut brenda këtij muaji.

Një park në Albany të Xhorxhias kishte më shumë se 200 shtëpi portative. Pothuajse të gjitha janë shkatërruar nga tornadot. Ekipet e shpëtimit po kontrollojnë rrënojat për të parë për njerëz që mund të jenë bllokuar brenda tyre, ndërsa banorët bëjnë vlerësimin e dëmeve.Ata që ishin brenda në kohën kur goditi stuhia flasin për tmerrin që përjetuan. Anthony Mitchell është banor i qytetit Albany

"Stuhia shkatërroi dyert dhe dritaret dhe muret filluan të shqyeshin. Shtëpia filloi të ngrihej në ajër. Në atë moment, mbi shtëpi ra një pemë që e mbajti në vend."

Xhorxhia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Kërkimet për personat e zhdukur, mes tyre një vajzë dy vjeçare të cilën e kapi stuhia,po vazhdojnë. Zyrtarët thonë se stuhia ishte më e rëndë sesa ajo që fillimisht raportoi media. Chris Cohilas jeton në Kontenë Dougherty

"Stuhia ka shkatërruar shtëpi, magazinat e fruta-perimeve dhe ka dëmtuar rëndë bazën logjistike të Korpusit të Marinës."

Një tornado goditi shtëpitë përgjatë lumit Cane në Luiziana. Howard Johnson nga qyteti Natchez u zgjua kur shtëpia e tij portative u përmbys.

"Shumë gjëra ranë mbi mua dhe u detyrova të zvarritesha drejt një peme. Disa sekonda pasi arrita tek pema stuhia pushoi," thotë ky banor i Luizianës.

Në Bregun Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, banorët në jug të Kalifornisë ishin të shqetësuar nga rrëshqitjet e mundshme të dheut. Kjo ishte hera e tretë brenda një muaji që ata u goditën nga një stuhi e fuqishme shiu.

"Në të gjitha vitet që kam jetuar këtu, kjo ishte stuhia më e rëndë që ‘kam parë."

Valët dhjetë metra të larta përmbysën anijen e Luftës së Parë Botërore, “Palo Alto” në Gjirin e Montereit, duke e çarë në dysh.

Të hënën, erërat e forta në zonat e Nju Jorkut dhe Nju Xhërsit detyruan zyrtarët që të pezullonin përkohësisht shërbimin e trenave në Aeroportin e Njuarkut. Disa banorë përgjatë bregut të Atlantikut janë paralajmëruar të përgatiten për stuhi me erëra të forta dhe përmbytje.

XS
SM
MD
LG