“Jepu njerëzve lëmoshë apo një mjet pune, ata do të jetojnë pak më mirë. Jepu atyre arsim, ata do të ndryshojnë botën”. Ky është paragrafi në Hyrje të Strategjisë së Zhvillimit të Arsimit Parauniveristar në Shqipëri për periudhën 2014–2020 miratuar nga qeveria shqiptare janarin e një viti më parë. Ndonëse Strategjia paraqet një seri objektivash për përsimirësimin e arsimit sidomos për sa i përket kushteve të objekteve shkollore bashkitë që dolën nga zgjedhjet vendore të qershorit të vitit 2015 janë shumë larg financimeve të domosdoshme për përmirësimin e kushteve në shkolla.
Dimri i këtij viti në Shqipëri po zbulon mungesën e kushteve minimale të ngrohjes në objektet shkollore dhe në shumë raste Drejtoritë e Arsimit në rajone detyrohen të shkurtojnë Programet ditore të mësimit. Sipas Portalit joqeveritar Openprocurement.al që i referohet të dhënave që hidhen elektronikisht në Agjensinë e Prokurimit Publik gjatë muajit Janar të vitit 2017 vetëm 7 prokurime janë kryer nga njësi vendore për blerje produktesh si dru, gaz dhe benzinë për ngrohje shkollash nga 122 prokurime që janë kryer gjithësejt nga bashkitë prej 1 janarit deri më 25 janar të këtij viti.
Bashkitë në Memaliaj, Shijak, Mallakastër, Tepelenë, Kavajë dhe Kamëz kanë prokuruar fonde për “Blerje dru zjarri për shërbimin e ngrohjes për periudhën 20 janar- 15 mars 2017”, madje edhe “Blerje gaz me bombula për kopshte fëmijësh dhe çerdhe”. Një pjesë e nevojave për ngrohje shkollash dhe kopshtesh të 61 bashkive janë prokuruar gjatë viti të shkuar ndërsa shumë njësi vendore janë gjetur pothuajse të papërgatitura për të mbuluar këtë shërbim duke detyruar qindra familje sidomos në zonat rurale të sigurojnë vetë mjetet e ngrohjes për fëmijët e tyre.
Investimet të pakta në shkolla edhe përgjatë 2016
Gjatë vitit 2016 Bashkitë shpallën rrreth 118 prokurime në sektorin assimor kryesisht për blerje lëndësh djegëse për ngrohje, riparimesh të godinave, punime mirëmbajtëse dhe transportin e nxënësve. Sipas portalit joqeveritar Openprocurement.al vlera totale e 87 kontratave të kryera ishte rreth 3,5 milionë dollarë. Shumica e njësive vendore në Veri të vendit u kujdesën që prokurimet për materialet e ngrohjes t`i kryenin tremujorin e fundit të vitit 2016 për t`i paraprirë temperaturave të ulta. Disa bashki si ajo e Tropojës, Gjirokastrës, Memaliajt i përqëndruan financimet e vogla në blerje sobash për ngrohje me dru zjarri në shkolla dhe kopshte, ndërsa disa bashki të tjera si ajo e Klosit, Korçës, Fierit, Libohovës u përqëndruan në financime për mirëmbajtje godinash përfshirë edhe ndërrime të çative të shkollave. Shumica e punimeve të kryera në shkolla gjatë vitit 2016, sipas bazës së të dhënave të prokurimeve elektronike, janë kryer nga të ardhurat e vetë bashkive, ndërsa vetëm në disa njësi vendore si atë të Bulqizës, Maliqit dhe Malësisë së Madhe financimet janë siguruar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve krijuar nga qeveria shqiptare. Në prokurimet e të gjitha bashkive gjatë vitit të shkuar vërehet mungesa e financimeve për ndërtimin e shkollave të reja megjithëse në disa zona sidomos në qytete e mëdha si në Durrës, Tiranë, Elbasan, Sarandë dhe Vlorë nevojat për objekte të reja shkollore janë të mëdha. Kjo pasi dendësia e nxënësve (edhe prej lëvizjeve të mëdha demografike) në klasat e mësimit është në disa shkolla jashtë normave të lejuara dhe mësimi zhvillohet në shumë prej tyre në dy turne. Krahasuar me finacimet për shërbime të tjera të dhëna nga bashkitë ato për shkollat zënë një përqindje tejet të ulët që nuk i përgjigjet nevojave të mëdha që institucionet shkollore kanë për mirëmbajtje dhe pajisje.
Disa bashki vendosën gjatë vitit 2016 një taksë për çdo familje për arsimin dhe asnjë prej tyre nuk ka bërë transparente se si dhe ku janë përdorur paratë e mbledhura. Disa prej bashkive u përballën vitin e shkuar edhe me reagime nga komunitetet vendore pasi përjashtuan për një kategori nxënësish mbulimin e shërbimit të transportit të atyre fëmijëve, qendrat e banimit të të cilëve janë nën 2 kilometër distancë nga shkollat.
Njësitë vendore fajësuan një vendim të qeverisë që detyronte këtë përjashtim duke lejuar financimin e transportit për nxënësit qendrat e banuara të të cilëve ishin mbi 2 deri në km larg shkollave. Sipas burimeve zyrtare shpenzimet publike në sektorin e arsimit në Shqipëri kanë shënur rënie nga viti 2009. Ato përllogariten në vit nga 3,42% deri në 3,1 % në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, një shifër e ulët krahasuar edhe me vendet e rajonit. Po sipas të dhënave zyrtare viteve të fundit kanë ardhur ndërkaq në rritje shpenzimet private, ( individuale dhe familjare) për arsimin të cilat përllogariten në 0,8%-,9% ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto.