Lidhje

May, takim me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë


Kryeministrja britanike, Theresa May takohet me Presidentin e SHBA Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku dy udhëheqësit botërorë do të mbajnë një konferencë shtypi. Zonja May është udhëheqësja e parë e huaj që takohet me Presidentin Trump në Uashington që kur ai mori detyrën.

Takimi i zonjës May me presidentin amerikan në Zyrën Ovale është përshëndetur nga qeveria britanike si shenjë e vlerësimit nga administrata e re të marrëdhënieve të veçanta ndëratlantike mes dy vendeve.

Zonja May vendosi sot një kurorë në varrezat e të rënëve në Arlington pranë Uashingtonit. Ajo arriti në Shtetet e Bashkuara dje në Filadelfia.

Kryeministrja May foli mbrëmë në një takim të udhëheqësve republikanë të SHBA në Filadelfia, ku u shpreh me fjalë vlerësimi për zotin Trump dhe diskutoi mbi nevojën për marrëveshje të reja tregtare mes Amerikës dhe Britanisë.

"Siç ka thënë edhe Çërçilli, ‘ne flasim të njëjtën gjuhë, lutemi në të njëjtin altar, dhe në një masë shumë të madhe, ndjekim të njëjtat ideale. Sot, gjithnjë e më shumë, ne kemi marrëdhënie të forta ekonomike, tregtare, të mbrojtjes dhe politike. Prandaj, jam e kënaqur që administrata e re e ka bërë një marrëveshje tregtare mes vendeve tona një ndër përparësitë e saj më të hershme’”

Si Britania edhe administrata Trump kanë shfaqur shpresën se një marrëveshje mes dy vendeve do të arrihet shpejt pas daljes zyrtare të Britanisë nga Bashkimi Evropian, por Britania nuk mund t’i fillojë negociatat zyrtare pa u shkëputur plotësisht nga BE-ja.

Duke folur të premten në Bruksel, ku po merr pjesë në mbledhjet e BE-së, Sekretari britani i Thesarit, Philip Hammond, tha se është i vetëdijshëm për detyrimet e Britanisë:

"Britania vazhdon të jetë anëtare plotësisht e angazhuar në Bashkimin Evropian. Kam ardhur sot këtu për të diskutuar me kolegët e mi ministra të financave. Ne do të vazhdojmë të marrim pjesë plotësisht, do të vazhdojmë t’u përmbahemi rregullave dhe ligjeve të Bashkimi Europian për aq kohë sa jemi anëtarë. Pra, natyrisht ne duam të forcojmë lidhjet tona tregtare me partnerët e shumtë tregtarë që kemi në botë, por jemi shumë të ndërgjegjshëm për detyrimet tona sipas traktatit të BE-së dhe do t’i zbatojmë ato me saktësi.”

Si Kryeministrja May ashtu edhe Presidenti Trump kanë ndërmarrë hapa për të reformuar marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare, veçanërisht nëpërmjet tregtisë. Dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe tërheqja e zotit Trump nga Partneritetit Trans-Paqësor prej 12-vendesh do të kërkojnë negocimin e marrëveshjeve të reja të tregtisë në të gjithë botën.

Plani i zonjës May për largimin nga BE-ja përfshin vendosjen e një përparësie për kontrollin e emigracionit, edhe pse ajo nuk ka i ka njoftuar ende hollësitë politike të këtij procesi.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG