Lidhje

Rivlerësimi, dorëhiqen gjyqtarë e prokurorë


Në Shqipëri 5 gjyqtarë dhe prokurorë janë tërhequr nga detyra ndërsa në bazë të ligjit për rivlerësimin e figurës do të duhej të dorëzonin brenda pasdites së sotme formularët e deklarimit të pasurive. Kontrolli dhe verifikimi i pasurive është një nga elementët e procesit të rivlerësimit të cilit do t’i nënshtrohen mbi 800 gjyqtarët dhe prokurorët e vendit.

Bien në sy, dy emra nga institucionet më të larta gjyqësore të cilët kanë shmangur procesin. Anëtarja e Gjykatës së Lartë Mirela Fana ka paraqitur dorëheqjen, ndonëse pak ditë më parë , emri i saj u përzgjodh për të drejtuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, pas hedhjes së një shorti për zgjedhjen e anëtarëve të këtij Këshilli. Mësohet se zonja Fana ka deklaruar se dëshiron t’i kushtohet jetës akademike.

Nga ana tjetër anëtari i Gjykatës Kushtetuese Vladimir Kristo nuk ka dorëzuar formularin. Ai ka shpjeguar se mandati i tij si gjyqtar i kësaj Gjykate ka përfunduar.

Dorëheqje ka paraqitur edhe Ilir Çeliku, i Gjykatës së Apelit Vlorë, i cili kishte vetëm pak muaj që ishte emëruar. Të njejtin veprim ka bërë dhe gjyqtari i Elbasanit Ilir Pashaj.

Ndërsa prokurori i Kavajës, Sulejman Tola, dhe gjyqtarja e Kukësit Drita Veliaj, nuk kanë plotësuar formularët duke deklaruar se janë në prag të pensionit.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG