Lidhje

Trump dhe paditë ligjore kundër tij

  • Zllatica Hoke

Ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump janë ngritur disa padi ligjore, në më pak se dy javë prej ditës së inagurimit të tij. Pjesa më e madhe e padive, lidhen me urdhrin ekzekutiv që pezullon udhëtimin nga 7 vende me shumicë myslimane.

Gjithashtu është pezulluar dhe strehimi i refugjatëve Sirianë në Shtetet e Bashkuara, deri në një njoftim të dytë.

Administrata e presidentit Trump thotë se pezullimi i përkohshëm ishte i domosdoshëm për të garantuar sigurinë e qytetarëve amerikanë. Por kundërshtarët pretendojnë se është antikushtetues.

Urdhri ekzekutiv shkaktoi protesta të menjëhershme në të gjithë vendin të cilat po mbështeten me veprime ligjore kundër presidentit.

Prokurorja e përgjithshme e Masaçusetsit Maura Healey njoftoi të martën një një padi të re ligjore.

“Urdhëri ekzekutiv është i dëmshëm, diskriminues dhe jo kushtetues. Diskriminon bazuar në bindjet fetare dhe origjinën kombëtare. I mohon banorëve të drejtën për një proçes të rregullt dhe qasje të barabartë përpara ligjit si dhe shkel ligjin federal të emigracionit”.

Njoftimi vjen menjëherë pasi San Françisko njoftoi një padi ndaj kërcënimit për humbje të fondeve federale nëse qyteti i Kalifornisë do t’u ofrojë strehë emigrantëve të paligjshëm.

“Po njoftoj sot se kam ngritur një padi federale kundër presidentit Donald Trump dhe administratës së tij për urdhrin ekzekutiv që synon t’i heqë San Françiskos dhe qyteteve të tjera miliarda dollarë në fonde federale për shkak të statusit tonë si strehë për emigrantët. Urdhri ekzekutiv i presidentit jo vetëm është antikushtetues por dhe anti amerikan”.

Shteti në perëndim të vendit, Uashingtoni e njoftoi të hënën padinë e tij.

“Kjo padi është ndryshe dhe ka një qëllim më të gjerë. Kërkon të ketë dispozita të veçanta për deklarimin të paligjshëm dhe jo kushtetues të atij urdhri ekzekutiv”.

Një grupim që mbron të drejtat e myslimanëve, këshilli i mardhënieve amerikane me vende islamike, ngriti gjithashtu një padi të hënën.

Vendimi i presidentit Trump për shkarkimin e prokurores së përgjithshme në detyrë Sally Yates me arsyetimin se rrefuzoi “të zbatojë një urdhër ligjor që synon të mbrojë qytetarët e Shteteve të Bashkuara”, “ushqeu” edhe më shumë zemërimin e atyrë që kundërshtojnë urdhrin ekzekutiv.

“Nuk është një gjë e re shkarkimi i një prokurori të përgjithshëm. Por kur një gjë e tillë ka ndodhur në të shkuarën nuk ka shkuar dhe kaq mirë. Vetëm sa do të rrisë zemërimin mes kundërshtarëve të urdhrit të presidentit që mendojnë se ai është i paligjshëm”.

Shumë ligjvënës republikanë e kanë mbështetur urdhrin e presidentit.

“Kemi nevojë të ndalemi dhe të sigurohemi se standardet e proçesit të verifikimit të emigrantëve janë ato që duhen për të garantuar sigurinë e vendit tonë”.

Kryetari i dhomës së përfaqësuesve premtoi të martën se programi i strehimit të refugjatëve do të rifillojë sapo të vendosen kriteret e duhura të mbrotjes së qytetarëve amerikanë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG