Lidhje

Maqedonia vazhdon të jetë pa qeveri


Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka ndërmarrë një nismë për t’u takuar me drejtuesit e partive politike, në kuadër të konsultave të filluara lidhur me formimin e qeverisë së vendit.

Ai ka pritur në takime të ndara kryetarët e Lidhjes Social Demokrate, të Bashkimit Demokratik për Integrim, të Lëvzjes Besa, Lëvizjes për Reforma, ndërsa do të presë edhe kryetarin e partisë VMRO-DPMNE.

Zyra e presidentit Ivanov ka bërë të ditur se edhe përfaqësues të Partisë Demokratike Shqiptare ishin ftuar, por nuk ka patur reagime.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev u tha gazetarëve se “kishte shkuar për të marrë mandatin, por nuk i ishte dhënë meqënëse nuk ka siguruar shumicën në parlament”.

Presidenti maqedonas është shprehur “së pari shumica, pastaj mandati”.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, tha pas takimit se të gjithë duhet të kontribuojnë për kapërcimin e krizës dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për të ardhmen dhe qëndrueshmërinë e vendit. Ai tha se të gjitha opsionet mbeten të hapura për formimin e qeverisë. Zoti Ahmeti u shpreh se “çelësi për koalicionin qeveritar ishte tek partia e tij, por se tani atë ia ka dorëzuar presidentit Ivanov”. Ai nuk dha një përgjigje të qartë nëse do të hynte në koalicion qeveritar me Lidhjen Social Demokrate.

Ky është takimi i parë i zotit Ali Ahmeti me presidentin Gjorgje Ivanovin, qëkur ky i fundit mori mandatin e dytë si president. Në atë kohë BDI-ja shprehej se nuk e njihte legjitimitetin e presidentit Ivanov dhe kërkonte një president që do të zgjidhej me konsensus politik nga të gjitha palët.

Zoti Ahmeti, i pyetur nga gazetarët për këtë, tha se sot kishte vepruar me kokë dhe jo me zemër. Pasi i mandatuari për formimin e qeverisë Nikolla Gruevski nuk arriti ta formojë kabinetin, presidentit Gjorgje Ivanov, sipas analistëve, po i kalon afati dhjetë ditor për t’ia dorëzuar mandatin një kandidati tjetër, që do të duhej të ishte partia e dytë më e madhe, e cila doli nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, në këtë rast LSDM.

Dy partitë tjera shqiptare, Lëvizja Besa dhe Lëvizja për Reforma kanë lënë të kuptohet se mund të hyjnë në koalicion qeveritar me LSDM-në, por kabineti qeveritar i Maqedonisë nuk arrin të formohet dot pa votat e BDI-së. LSDM ka 49 deputetë nga 120 vende të parlamentit. Qeveria mund të formohet me votat e shumicës së thjeshtë, apo 61 vota.

Ekspertët ligjorë mendojnë se presidenti Ivanov nuk ka pse bën konsulta dhe se ai duhet t’ia japë mandatin Lidhjes Social Demokrate për të formuar qeverinë, ashtu siç veproi pa u këshilluar kur i dha mandatin Nikolla Gruevskit të VMRO-së, i cili nuk siguroi shumicën.

Vëzhguesit e zhvillimeve politike vlerësojnë se në Maqedoni mund të thellohet kriza nëse presidenti e zvarrit çështjen. Disa nga alternativat mund të jenë një qeveri e gjerë me pjesëmarrjen e të gjitha partive parlamentare, apo edhe zgjedhjet e reja.

XS
SM
MD
LG