Lidhje

Drejtësia, Lu: asgjë nuk na frikëson

  • Armand Mero

Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu u shpreh sot se asnjë përpjekje për të frikësuar apo minuar procesin e Reformës në Drejtësi nuk do të mund të pengojë që Shtetet e Bashkuara të sigurohen që ajo do të jetë e suksesshme. Deklarata e bërë përmes një postimi në Facebook, pason replikat e djeshme mes tij dhe Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Ky i fundit lëshoi akuza të forta ndaj ambasadorit amerikan duke folur për shantazhe dhe deri ndërhyrje në hetimet e Prokurorisë.

Ambasadori amerikan drejtoi dje gishtin ndaj kreut të Prokurrisë së Përgjithshme Adriatik Llalla duke e treguar atë si “shembullin e përpjekjeve” për të penguar Reformën në Drejtësi dhe zbatimin e saj. Ambasadori tha se për 18 muaj ai kishte folur me zë të lartë kundër Reformës, ndërsa përmendi dhe tentativën e prokurorisë për të sekuestruar serverin e Inspektoriatit të Lartë të verifikimit të pasurive apo dhe kandidaturat pa alternativa që Prokuroria paraqiti për shortin e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Me tone të forta ishte reagimi i mëpasshëm i Kryeprokurorit Llalla, sipas të cilit ambasadori amerikan nuk mund të sillej si zot në Prokurorinë shqiptare duke e akuzuar më pas për shantazhe, apo për kërkesa për mbyllje hetimesh.

Ndwrsa sot, me një referencë të qartë ndaj deklaratave të djeshme tw Kryeprokurorit, ambasadori amerikan, përmes një postimi të shkurtër në Facebook, nënvizoi se “asnjë përpjekje për të na frikësuar apo për të minuar procesin e reformës, nuk do të na pengojë që të sigurojmë që ajo do të jetë e suksesshme për të parandaluar manipulim politik dhe korrupsion në gjyqësor. Ky është një premtim", shkruan ambasadori Lu duke kujtuar se “Shtetet e Bashkuara kanë marrë një angazhim përpara popullit shqiptar për të monitoruar çdo hap të zbatimit të Reformës në Drejtësi”.

Ambasada amerikane i ka refuzuar vizën hyrëse për në Shtetet e Bashkuara 23 gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. Në listë është dhe Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla dhe bashkëshortja e tij. Duket se ambasada i referohej pikërisht këtij rasti, kur javën e shkuar foli për “një rast abuzimi flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre”. Sipas letrës që kryeprokurori Llalla i ka dërguar presidentit Bujar Nishani dhe kryetarit të parlamentit Ilir Meta, viza i është revokuar dhe Rovena Gashit, drejtuese e lartë në Prokurorinë e Përgjithshme. Në lista mësohet se janë dhe disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së lartë.

Ambasada nuk ka dhënë shpjegime, por në deklaratën e javës së shkuar saktësonte se “e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin”.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG