Lidhje

Meta: Për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi ka të drejtë Llalla


Në Shqipëri, kryetari i parlamentit Ilir Meta tha mbrëmjen e së premtes se sipas informacionit të marrë nga prokuroria, kjo e fundit ka vepruar ne respekt të rregullave, në lidhje me kandidaturat që dërgoi për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Një ditë më parë, ambasadori amerikan në Tiranë kritikoi drejtpërdrejtë Kryeprokurorin Adriatik Llalla se në një proces shorti ai kishte dërguar vetëm 3 emra për 3 pozicione vakante. “Kushtetuta është e qartë që këta anëtarë të Këshillit duhet të përzgjidhen me short. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë dorëzuan secili lista më të gjata me persona të kualifikuar për pozicionet në Këshill. Në dallim me to, Prokurori i Përgjithshëm i zgjodhi vetë të tre pozicionet e prokurorisë duke dërguar një listë me vetëm tri emra, përzgjedhur pa transparencë, për të plotësuar tre poste”.

Në konferencën për shtyp, duke ju referuar informacionit të Prokurorisë, zoti Meta shpjegoi se “sipas shkresave të mësipërme, për 1 vend në KED, plotëson kriteret dhe kushtet, përfshirë dhe Shkollën e Magjistraturës, vetëm një prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme dhe për 2 vende, plotësojnë kriteret dhe kushtet, përfshirë dhe Shkollën e Magjistraturës, vetëm dy prokurorë të prokurorive pranë Gjykatave të Apelit. Bazuar në informacionin e administruar në mënyrë shkresore, Prokuroria e Përgjithshme, rezulton sipas tyre, ka zbatuar korrekt dhe në mënyrë transparente Kushtetutën dhe ligjin e miratuar nga Parlamenti me asistencën e partnerëve ndërkombëtar OPDAT dhe EURALIUS”, theksoi kryetari i Parlamentit.

Ambasadori Lu ishte shprehur se në rastin e KED-ës, “Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës”. Por zoti Meta tha se “frymën e Kushtetutës nuk ka të drejtë ta interpretojë as Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, as Prokurori i Përgjithshëm, as Presidenti i Republikës dhe askush tjetër. Frymën e Kushtetutës në Shqipëri e interpreton vetëm Gjykata Kushtetuese”. Ai theksoi gjithashtu se nuk kishte patur asnjë ankimim nga prokurorë që mund të ishin lënë jashtë procesit e po ashtu as nga përfaqësuesit e misiomeve europiane dhe amerikane që ndoqën nga afër procesin. “Në qoftë se do të kishim pasur një shqetësim zyrtar nga misioni i OPDAT-it, nga misioni i EURALIUS-it apo nga Ambasadat e SHBA dhe ambasadave të vendeve partnere të Bashkimit Evropian, padyshim që do ta kishim marrë në konsideratë, në përputhje gjithmonë me Kushtetutën edhe me ligjin”.

Zoti Meta pati një thirrje dhe për përfaqësuesit ndërkombëtarë siç tha ai, por që tingëlloi më shumë si drejtuar posaçërisht ambasadoti amerikan. “I ftoj të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që të jenë një model për ne se si të respektohen institucionet, se si punohet në mënyrë transparente dhe kjo do të na ndihmojë të gjithëve për të realizuar atë reformë madhore që presim të gjithë, Reformën e Drejtësisë. Shkresat do të bëhen menjëherë publike në faqen e Kuvendit dhe njëkohësisht do të informojmë gjithë partnerët tanë që na ndihmojnë në mënyrë që të sqarohen të gjithë sa më shumë të jetë e mundur dhe që reforma përmes bashkëpunimit të të gjithë institucioneve dhe të bashkëpunimit transparent edhe me partnerët të ecë përpara pa u ndalur”, deklaroi kreu i Parlamentit.

XS
SM
MD
LG