Lidhje

Francë, ish-kryeministri Fillon nën akuza të reja


Francois Fillon, kandidati konservator në zgjedhjet presidenciale franceze po përballet me akuza të reja sot, lidhur me shumat që i janë paguar të shoqes së tij. Zoti Fillon është përfshirë në një skandal për punësimin fiktiv të anëtarëve të familjes. Akuzat kanë shkaktuar rënie të ndjeshme të popullaritetit të tij tek votuesit francezë:

Revista satirike Le Canard Enchaine njofton se gruaja e zotit Fillon ka marrë 45 mijë euro si pjesë e paketës së largimit nga puna, pasi më parë u njoftua se ajo kishte marrë rrogë nga fonde publike për një punë që mund të ketë qenë fiktive.

Zoti Fillon ka thënë se bashkëshorta e tij punonte për të, por kjo nuk e ka zbutur skandalin që i ka kushtuar rëndë në anketa ish-kryeministrit francez, më parë një ndër favoritët për president i ardhshëm i Francës.

Pas bujës që shkaktoi njoftimi në shtyp për pagesat dhe punësimin e gruas, ai ka kërkuar ndjesë.

Për parizienët akti ngre shumë pikëpyetje për transparencën dhe llogaridhënien në qeverisje:

“Po të kishte qenë një punonjës i thjeshtë, askush nuk do të kishte ngritur pyetje. Por kur sheh se është e shoqja krijohet konfuzion,” thotë Richardi, llogaritar në Paris.

“Ajo që më irriton është fakti se ai na kërkon ne të bëjmë sakrifica, të përpiqemi. Nga ana tjetër edhe nëse s’kemi të bëjmë me vend të sajuar pune, shuma që iu dha së shoqes në largim nga puna nuk është e justifikueshme. Ky nuk është shembulli që duhet të japë një politikan,” thotë Marcu, banor i Parisit.

“Sa mirë ka ditur të na premtojë se do të derdhë gjak e lotë nëse zgjidhet, por ndërkohë vazhdon të mbushë xhepat. Ai po pasurohet vetë dhe me familjen në kurriz të shoqërisë. Mendoj se njerëz të tillë hipin në post për t’i shërbyer vetes dhe jo popullit,” thotë një pensioniste.

Anketat tregojnë se kandidati i pavarur me pikëpamje centriste Emmanuel Macron ka gjasa të fitojë në zgjedhje, duke mundur në raundin e dytë Marine Le Pen të Frontit Kombëtar me pikëpamje të ekstremit të djathtë.

XS
SM
MD
LG