Lidhje

Bllokohet heroinë në kufi me Greqinë


Drug Albania
Drug Albania

Policia shqiptare bllokoi sot në Pikën e Kakavijës 2,6 kilogramë heroinë duke arrestuar një drejtues automjeti që udhëtonte drejt Greqisë.

Droga u zbulua nga oficerët e antidrogës e fshehur në frigoriferin e vogël të automjetit. Policia shqiptare tha se po hetohet trafiku ndërkombëtar i drogës.

Në pikat me Greqinë është rritur kohët e fundit aktiviteti i trafikantëve të drogës për të kaluar drejt Greqisë, jo vetëm marijuanë, por edhe lloje të forta të drogës si heroinë dhe kokainë.

Ndërkohë policia greke bllokoi një sasi të madhe marijuane që po transportohej me kamion nga Porti i Igumenicës drejt Italisë me destinacion përfundimtar Hollandën dhe Gjermaninë.

Policia greke tha se rreth 380 kilogramë marijuanë u sekuestruan dhe një 41 vjeçar shqiptar është vënë në pranga.

Porti grek i Igumenicës po kthehet kohët e fundit në një epiqendër të trafikut të marijuanës të kultivuar në Shqipëri.

Operacion antidrogë në Karaburun

Policia shqiptare po zhvillon një operacion antidrogë në zonën e Gadishullit të Karaburunit në Vlorë. Sipas burimeve policore rreth 375 kilogramë marijuanë janë bllokuar deri tani në zonën e njohur si Gjiri i Bristanit.

Sipas burimeve të para policore lënda narkotike ishte paketuar në 15 çanta, e izoluar për ti rezistuar ujit dhe gati për tu transportuar përmes hapësirës detare drejt Italisë. Policia ka sekuestruar edhe një sasi karburanti që përdorej për të furnizuar mjetet e lundrimit të skafistëve.

XS
SM
MD
LG