Lidhje

Urdhri i presidentit Trump në Gjykatën e Apelit


Gjykata Federale e Apelit në San Françisko, do të vendosë mbi fatin e urdhrit ekzekutiv të presidentit Trump, i cili ndalon udhëtarët e 7 vendeve me shumicë muslimane të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Richard Green njofton mbi përpjekjet e administratës për të rrëzuar vendimin e një gjykatësi, që e ka pezulluar përkohësisht zbatimin e urdhrit të presidentit.

Një panel prej 3 gjyqtarësh të Gjykatës së Apelit në San Françisko, dëgjoi të martën argumentet e avokatëve të të dy palëve gjatë një telekonference që u transmetua në internet dhe në edicionet e lajmeve të televizioneve kabllorë.

Gjyqtarët u shprehën skeptikë lidhur me qëndrimin e avokatit të Departamentit të Drejtësisë August Flentje i cili argumentoi në emër të administratës së presidentit Trump.

Sa shkelje federale keni konstatuar të jenë kryer nga njerëzit që kanë ardhur me viza nga këto vende. Përgjigjia pëfundimtare është asnjë”, u shpreh gjykatësi federal William Canby.

“Proçedurat kanë qënë të shpejta, ne kemi lëvizur me shpejtësi dhe po bëjmë më të mirën e mundshme”, u përgjigj avokati August Flentje.

Ju po thoni se proçedurat po ecin shpejt, por ju keni apeluar tek ne përpara se të formuloni gjithë qëndrimin tuaj. Pse duhet t’u dëgjojmë sot nëse ju thoni se do të paraqisni të tjera prova më vonë?”, u shpreh gjykatësi federal Michelle Friedland.

Ka patur një numër personash nga Somalia të lidhur me grupin Al-Shabab, që janë dënuar në Shtetet e Bashkuara”

A është kjo në proçesverbal, a mund të na thoni se cilës pjesë po i referoheni në proçesverbal?

Jo nuk është. Ka dhe shembuj të tjerë, por sërisht, ju keni të drejtë kjo nuk është në proçesverbal”.

Gjyqtarët i kërkuan sqarime edhe avokatit Noah Purcell që mbrojti vendimin e shtetit të Uashingtonit, që ngriti padinë kundër urdhrit ekzekutiv të presidentit së bashku me shtetin e Minesotës. Zoti Purcell i’u përbajt qëndrimit se vendimi është antikushtetues pasi shënjestron në mënyrë specifike shtetas të besimit mysliman.

Çështja është se është e motivuar, ajo çka ne pretendojmë. Sërisht ne duhet të tregojmë mundësitë për sukses. Por në këtë fazë rasti ligjor është i qartë, se pretendimet tona bindëse janë të vërteta për të garantuar shanset e suksesit me çështjen.

Prit një minutë. Kjo nuk mund të jetë kështu. Ne duhet ta marrim për të vërtetë atë çka thoni?! Fakti që ju ngrini një pretendim dhe këtë e barazoni me suksesin?! Nuk mendoj se ju e mendoni vërtet këtë gjë apo jo?”, u shpreh gjykatësi federal Richard Clifton.

Rory Flemind një profesor i drejtësisë në universitetin e Kalifornisë, tha se nuk mendon se gjykatësit u bindën nga argumentat e qeverisë.

Mendoj se gjykata nuk do të marrë vendim për ta shfuqizuar pezullimin e dekretit të presidentit, por ndoshta do ta interpretojnë atë më ngushtë ose mund t’ia kthejnë gjykatës, që më duket një lëvizje strategjike”.

Paneli prej 3 gjyqtarësh deklaroi se do të marrë vendim sa më shpejt të jetë e mundur. Emigrantët janë lejuar të hyjnë në Shtetet e Bashkuara që kur një gjykatë e shkallës së pare e pezulloi urdhrin e presidentit të premten e kaluar.

Kundërshtarët thonë se në se ndalimi i udhëtimit rivendoset, ai mund të shkaktojë konfuzion dhe kaos në aeroporte sikurse ndodhi kur u vendos për herë të parë në 27 janar. Me qindra njerëz u ndaluan nga policia doganore në aeroporte dhe disa prej tyre u deportuan. Veprim që shkaktoi protesta në të gjithë vendin dhe veprime ligjore në disa fronte.

Profesor Fleming thotë se pavarësisht çfarë do të ndodhë në Gjykatën Federale të Apelit, çështja ka shanse të shkojë në Gjykatën e Lartë. Ky institucion ka qenë tradicionalisht i ndarë në katër gjykatës me prirje liberale dhe katër konservatorë, që prej vdekjes vitin e kaluar të gjykatësit Antonin Scalia.

XS
SM
MD
LG