Lidhje

Senati pritet të konfirmojë drejtuesen e Administratës për Biznesin e Vogël

  • Michael Bowman

Senati amerikan pritet të votojë sot kandidaten e presidentit Donald Trump për drejtimin e Administratës për Biznesin e Vogël, ish drejtuesen e sportit “wrestling” Linda McMahon. Zonja McMahon kaloi procesin e kofirmimit në nivel komisioni, ndërsa sot do të dalë para Senatit. Ajo dhe bashkëshorti i saj Vince McMahon, themeluan dhe ndërtuan kompaninë “World Wrestling Entertainment” dhe janë donatorë të rëndësishëm të fushatës së presidentit.

Të hënën, Senati konfirmoi ish drejtuesin e lartë në Wall Street, Steven Mnuchin, për postin e Sekretarit të Thesarit në një votim 53 me 47. Republikanët u rrjeshtuan në mbështetje ndërsa demokratët shprehën zëshëm kundërshtimin e tyre.

“Në bazë të standardeve objektive, zoti Mnuchin ka përvojë të madhe, kredenciale dhe kualifikime për këtë post të rëndësishëm,” tha republikani Orrin Hatch nga shteti Jutah, kryetar i Komisionit të Senatit për Financën.

Menjëherë pas konfirmimit, zoti Mnuchin bëri betimin në Shtëpinë e Bardhë përpara zv/presidentit Mike Pence. Në ceremoni mori pjesë edhe presidenti Trump, i cili shprehu vlerësime për drejtuesin e ri duke thënë se “sistemi financiar i vendit ndodhet vërtet në duar të sigurta”.

Pas arritjeve në Wall Street deri në ngritjen si partner në gjigandin Goldman Sachs, zoti Mnuchin udhëhoqi një grup investitorësh që blenë bankën në falimentim në kulmin e krizës financiare të viteve 2008-2009. Nën drejtimin e tij, banka u ndërpreu kreditë mijëra pronave dhe individëve me probleme financiare, një fakt që demokratët përsëritën vazhdimisht gjatë konfirmimit të tij dhe shkaktuan debate para konfirmimit të zotit Mnuchin.

“Thjesht, nuk mund të falë dikë që përfitoi nga kriza bankare dhe vala e dhimbshme që përçoi Wall Street në mbarë vendin duke u ndërprerë kreditë shumë njerëzve”, tha senatori demokrat Sheldon Whitehouse i shtetit Rode Iland. “Më vjen keq por nuk mund të votoj për dikë të tillë.”

Gjatë senacës dëgjimore për konfirmimin, zoti Mnuchin theksoi se banka që ai drejtoi, OneWest, ofroi hua të rrezikshme për tregun e shitblerjeve para se grupi i tij investues mori drejtimin e institucionit. Ai po ashtu tha se banka OneWest u mundësoi disa pronarëve shtëpish që të modifikonin huatë dhe menjanonin humbjet, banka zbatoi rregullat e përcaktuara për konfiskimin e pronave që nuk kishin bërë pagesa të huave.

Demokratët nuk ishin të kënaqur. Ata akuzuan të emëruar se po gënjente kur ai deklraroi se banka OneWest nuk përdori një procedurë automatike për falimentimin e kredi-marrësve ku dokumentet ishin nënshkruar përmes programeve kompjuterike.

“Ata u ndërprenë menjëherë kreditë familjeve pa lexuar dokumentet”, tha demokratja Debbie Stabenow e shtetit Miçigan. “Ata përdorën programet kompjuterike që të nënshkruajnë dokumentet”.

“Njerëzit duhe t’i japin fund përdorimit të argumenteve të rreme kundër tij”, u përgjigj zoti Hatch. “Kolegët e mi (demokratët) janë përpjekur të shpifin kundër zotit Mnuchin. Në thelb, ata janë përpjekur të ri-gjykojnë krizën e kredive duke vënë në shënjestër çuditërisht kompaninë e zotit Mnuchin.” Senatori Harch theksoi se shumë drejtues të lartë të Wall Street kanë sherbyer në postin e Sekretarit të Thesarit. Republikani nga shteti Jutah (Utah) vuri në dukjse se edhe Jack Lew, që sherbeu në këtë post gjatë administratës së presidentit Obama, ishte drejtues i lartë banke dhe investitor.

“Më duket shumë interesante që miqtë e mi ngrenë shqetësime në lidhje me çështje që nuk i bezdisën ata kur votuan për të emëruarin nga administrata demokrate për Sekretar Thesari”, tha zoti Hatch. “Shumë çështje që duket se kanë patur pak ose aspak shqetësim për kolegët e mi demokratë, gjatë procesit të konfirmimit për ish Sekretarin Jack Lew, tani i konsiderojnë si diskualifikuese për zotin Mnuchin.”

Zoti Mnuchin beson në atë që ulja e taksave krijon aktivitet ekonomik shtesë, duke nxitur begatinë si dhe të ardhura nga taksat për qeverinë. Filozofia e tij përputhet me ligjvënësit republikanë të etur për uljen e taksave, çfarë shikohet me përçmim nga demokratët. “Pjesa kryesore e asaj që ai po mbron është shkurtimi i taksave për të pasurit,” tha senatori demokrat Ben Cardin i shtetit Merilënd. “Porblemi është se si do të paguajmë për këtë? Si do të përballohet kostoja e uljes së taksave, sepse nuk mendoj se ne duam të shtojmë defiçitin.”

“E di që shumë amerikanë votuan për presidentin Trump me shpresën se ai do të ndryshojë strukturën e pushtetit në Uashington, siç edhe kishte premtuar shpesh herë”, tha udhëheqësi i pakicës demokrate në senat, ligjvënësi nga Nju Jorku Chuck Schumer. “Kabineti i tij ishte hapi i parë për të vërtetuar këtë. Rezulton se presidenti Trump po përdorte retorikë populiste për të mbuluar një agjendë të vijës së ashpër djathtiste, që do të realizohet përmes një grupi miliarderësh dhe bankierësh dhe ideologë të së djathtës ekstreme.”

Zoti Munchin është zgjedhja e fundit e kabinetit të zotit Trump që kalon përmes një kundërshtimi të ashpër nga demokratët, një model që shihet si i pakuptimtë nga republikanët dhe jo-produktiv.

“Padyshim që kolegët e mi kanë të drejtë të bëjnë çdo gjë që mendojnë se u ndihmon atyre të pengojnë administratën e re dhe të fitojnë pikë tek baza e tyre politike,” tha senatori Hatch. “Megjithatë, ata duhet ta dinë se këto taktika nuk bëjnë absulotisht asgjë në ndihmë të familjeve amerikane që kërkojnë mundësi më të mëdha dhe rritje ekonomike.”

Një largim nga modeli partiak ishte konfirmimi unanim i së hënës i mjekut David Shulkin për të udhëhequr Departamentin e Çështjes së Veteranëve, agjencia e dytë më e madhja në qeverinë amerikane. Zoti Shulkin ka qënë zyrtari më i lartë i departamentit për shëndetësinë që nga viti 2015 dhe është i vetmi pjestar i kabinetit aktual që ka shërbyer gjatë administratës së mëparshme.

XS
SM
MD
LG