Lidhje

Brenda kësaj jave urdhër i ri për ndalimin e udhëtimit drejt SHBA-së


Brenda kësaj jave, ndoshta të martën sipas shtypit amerikan, pritet që presidenti Donald Trump të nxjerrë një urdhër të ri për ndalimin e udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara nga 7 vende me shumicë myslimane. Sipas Sekretarit për Sigurinë Kombëtare John Kelly varianti i ri i urdhrit, do të jetë më efektshëm për çështjen e imigracionit.

Duke folur të shtunën në konferencën vjetore për sigurinë në Mynih, zoti Kelly tha se varianti i ri i urdhrit do të marrë më mirë në konsideratë njerëzit që kanë viza pune, ose dokumentin e kartës së gjelbërt për qëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.

Nëse ata janë në lëvizje nga një vend i largët për në Shtetet e Bashkuara, kur të mbërrijnë do të lejohen të hyjnë. Do të kemi një faze të shkurtër të sigurohemi që njerëzit të mos hipin në aeroplanë në pikat e nisjes. Por kur janë nisur me avion, ata do të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, tha John Kelly.

Urdhri i parë i presidentit ndalonte hyrjen në Shtetet e Bashkuara për të paktën 90 ditë për shtetas nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni. Gjithashtu u mbyllën për 120 ditë programet e refugjatëve që kërkonin strehim në Shtetet e Bashkuara me përjashtim të refugjatëve nga Siria, të cilët janë ndaluar për një kohë të pacaktuar.

Zbatimi i menjëhershëm i urdhrit i gjeti të papërgatitur shumë zyrtarë dhe udhëtarë, duke shkaktuar kaos dhe protesta në aeroporte në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë.

Më herët gjatë këtij muaji, gjykatësit federalë e pezulluan urdhrin ekzekutiv, duke arritur në përfundimin se ai vinte në shënjestër në mënyrë të paligjshme, myslimanët, për shkak të besimit të tyre, si dhe se po vihej në zbatim pa përgatitjet e nevojshme.

XS
SM
MD
LG