Lidhje

Nishani dekoron pjesmarrësit e grevës së urisë në ‘91


Në Shqipëri, presidenti Bujar Nishani i akordoi dekoratën Nderi i Kombit, studentëve dhe pedagogëve të Universitetit të Tiranës që morrën pjesë në grevën e urisë më 20 shkurt të vitit 1991, e cila coin ë rrëzimin e bustit të ish diktatorit Enver Hoxha.

“Në cilësinë e Kreut të Shtetit, kam privilegjin, por edhe fatin e madh që të vlerësoj ndoshta me pak vonesë me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’ të gjithë ata 723 pedagogë, studente e studentë sypatrembur e altruistë, që me vullnet të plotë hynë në një Grevë Urie masive e të pashembullt dhe dolën prej asaj fitimtarë, me objektiva të realizuara historike, por mbi të gjitha si heronj të heshtur lirie dhe demokracie!”, u shpreh Presidenti Nishani gjatë ceremonisë.

Kreu i Shtetit nënvizoi se studentët “i ndryshuan kursin e historisë vendit, duke kërkuar me ngulm, por në mënyrë paqësore, që e ardhmja e Shqipërisë të ishte si e gjithë Evropa, që vendi ynë të ishte aty ku i takon, në gjirin e familjes së madhe evropiane me të njëjtat merita dhe duke e pasuruar atë me vlerat tona më të mira”.

Presidenti Nishani nënvizoi megjithatë se misioni i studentëve dhe pedagogëve nuk duhej konsideruar i përfunduar “prandaj ju ftoj secilin prej jush dhe nëpërmjet jush të gjithë bashkëkohësit, bashkëpunëtorët, miqtë tuaj e asaj kohe dhe më pas që të mos i rreshtin përpjekjet dhe punën, që të mos i shmangeni përgjegjësisë – përgjegjësisë historike dhe përgjegjshmërisë shoqërore që dikur e nisët dhe e mbajtët me aq krenari e pa u lëkundur për asnjë çast mbi shpatullat tuaja të brishta, – por që të vazhdoni dhe të kontribuoni denjësisht, secili në fushën dhe me mundësitë e tij duke e pasuruar më shumë atë vlerë të madhe që ju i dhatë vetes, i dhatë vendit, i dhatë shoqërisë dhe i dhatë mundësi të ardhmes për Shqipërinë dhe shqiptarët, por dhe për të bërë të mundur që Shqipëria jonë me pasuritë natyrore të dhuruara nga Zoti të mos vuajë më atë padrejtësi zhvillimi ekonomik dhe social. Të bëhet një vend më dinjitoz e të begatë për të gjithë ne, për fëmijët tanë dhe për brezat që do të vijnë”, u shpreh presidenti Nishani.

XS
SM
MD
LG