Lidhje

Nënpresidenti Pence shpreh mbështetje për Naton


Nënpresidnenti amerikan Mike Pence shprehu mbështetjen e patundur të Shteteve të Bashkuara për aleancën ushtarake të Natos me Evropën, por tha se shumë nga vendet evropiane "ende nuk kanë një rrugë të qartë dhe të besueshme" për të shtuar shpenzimet e tyre të mbrojtjes për të paguar për partneritetin prej shtatë dekadash.

Duke qëndruar në selinë e Natos në Bruksel, zoti Pence theksoi se vetëm Shtetet e Bashkuara dhe katër vende të tjera mes 28 anëtarëve të Aleancës përmbushin detyrimin për të shpenzuar 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.

"Ne synojmë të shtojmë shpenzimet tona të mbrojtjes. Amerika do të bëjë pjesën e saj", deklaroi zoti Pence. Por ai shtoi se, "ka ardhur koha për veprim dhe jo vetëm fjalë” nga 23 vendet që nuk e përmbushin detyrimin e 2 përqindëshit të PBB.

Zoti Pence u mbështet nga Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jens Stoltenberg, i cili tha; "Mbështes plotësisht rëndësinë e ndarjes së barrës së detyrimeve. Lajmi i mirë është se ne po ecin në atë drejtim."

Ai tha se Gjermania, me ekonominë më të madhe në Evropë, ka shtuar shpenzimet e saj të mbrojtjes dhe se disa vende të tjera, përfshirë Letoninë, Lituaninë dhe Rumaninë, mund ta përmbushin detyrimin së shpejti ose “brenda një apo dy vjetësh." Pesë vendet që harxhojnë tashmë 2 përqind për mbrojtjen janë Greqia, Polonia, Estonia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara.

"Të gjithë aleatët janë angazhuar për të përmbushur investimet në mbrojtje, që do të thotë ndalimin e shkurtimeve dhe fillimin rritjes së shpenzimeve”, tha zoti Stoltenberg. "Kështu që ne po bëjmë vërtet përparim".

Zoti Pence premtoi gjithashtu, në disa takime me zyrtarët evropianë se Shtetet e Bashkuara do të “vazhdojnë të mbajnë përgjegjëse Rusinë," por shtoi se zoti Trump ka urdhëruar kërkimin e mënyrave për të gjetur pika të interesit të përbashkët me Rusinë".

Zoti Pence foli të hënën në Bruksel përkrah presidentit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk.

XS
SM
MD
LG