Lidhje

Hahn, thirrje opozitës: Debati të zhvillohet në Parlament


Komisioneri europian për Zgjerimin Johannes Hahn i kujtoi sot opozitës shqiptare se debati politik duhet të zhvillohet në parlament dhe jo jashtë tij. Deklarata e zotit Hahn pason vendimin e opozitës për të bojkotuar parlamentin. Komisioneri europian vuri në dukje pasojat negative që do të kishte ky vendim mbi procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. Në të njejtën linjë, edhe eurodeputeti Knut Fleckenstein, kërkoi nga opozita që ajo të bëhet pjesë e Komisioneve për rivlerësimin që procesi të mos pengohet.

Hahn, thirrje opozitës: Debati të zhvillohet në Parlament
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:41 0:00

Vendimi i opozitës shqiptare për të shoqëruar protestën e saj për një qeveri teknike që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme më 18 qershor, edhe me bojkotin e parlamentit duket se nuk është pritur mirë në Bruksel. Pas deklaratave të zëdhënëses së Komisionit europian, sot ishte Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn i cili i kujtoi opozitës se “debati politik duhet të ndodhë brenda dhe jo jashtë Parlamentit. Bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës është i domosdoshëm për ambicien e vendit për t’iu bashkuar Bashkimit Europian”.

Në deklaratën e tij, ai vuri në dukje gjithashtu, pasojat negative që bojkoti do të sillte për zbatimin e reformës në Drejtësi dhe procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Eshtë me rëndësi të madhe që parlamenti të ruajë vazhdimësinë, në një kohë kur në agjendën e tij janë reforma mjaft thelbësore që janë në agjendën e Parlamentit, si ajo e ngritjes së organeve të rivlerësimit, në kuadër të Reformës në Drejtësi, dhe Reforma zgjedhore, përfshi dhe rekomandimet e OSBE/ ODIHR të cilat janë thelbësore për të siguruar më pas zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këto reforma janë të domosdoshme për Shqipërinë që të ecë drejt rrugës së integrimit në BE”, përfundon deklarata e zotit Hahn.

Ndërkohë në Tiranë, eurodeputeti Knut Fleckenstein, relator për Shqipërinë në Parlamentin europian, ndërsa ju shmang komenteve mbi protestën e opozitës e cila “është një çështje e brendshme”, ritheksoi sot, në linjë me Komisionerin Hahn, se “bojkoti i parlamentit është në pikëpamjen tonë, rruga jo e duhur. Prandaj u kërkoj kolegëve të mi dhe miqve të mi në PD të vazhdojnë atë që ata mendojnë se është e nevojshme, por të kthehen në punë”.

Edhe ai vuri theksin te pasojat që ky vendim i opozitës rrezikon të ketë në zbatimin e Reformës në Drejtësi. “Kur diskutuam Reformën në Drejtësi, ka qenë një betejë e fortë, për t’i siguruar opozitës ndarjen 50 me 50 në komisione. Dhe prandaj u them kolegëve të mi të PD-së, mos na jepni ndjesinë që e keni keqpërdorur këtë. Minimalja që do i kërkoj, është të shkojnë të bëjnë punën në Komisione, të mos ndalojnë procesin e rivlerësimit dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi”, u shpreh ai.

Eurodeputeti Fleckenstein tha se “deri tani kemi dëgjuar fjalët dhe duam të shohim vepra. Dhe është momenti më i mirë, që të gjithë ata që kanë patur mundësinë që kanë qenë pro të bërit të gjërave në letër, tani të tregojnë se janë realisht në favor të Reformës”. Sipas tij, në fund të javës së ardhshme, kur parashikohet të përfundojë verifikimi i kandidaturave për organet e rivlerësimit dhe duhet të ngrihen Komisionet parlamentare për të bërë përzgjedhjen “të gjithë do ta kuptojnë se kush do t’i qëndrojë vetëm fjalëve, kush do të veprojë e kush ka arsye për ta bllokuar ndoshta për ca kohë”.

Por opozita duket e vendosur të mos bëj asnjë hap pas. Edhe sot kryetari demokrat Lulzim Basha e ritheksoi një gjë të tillë: "Nuk ka pazar me zgjedhjet e lira e të ndershme. Nuk ka pazar me vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë. Kjo nuk është lëvizja e një partie politike. Eshte lëvizje mbarëpopullore, kombëtare. Kjo që ka nisur nuk ndalet. Shqipëria nuk do të jetë kurrë si dje”. Zoti Basha ripërsëriti se nuk do të ketë kthim në parlament pa u plotësuar kërkesa për një Qeveri teknike.

Lidhur me situatën e krijuar foli sot gjatë, për herë të parë, dhe kryetari i Parlamentit Ilir Meta, drejtuesi i Lëvizjes socialiste për Integrim, aleati kryesor i socialistëve në qeveri. Mbrëmjen e djeshme zoti Meta, ndaj të cilit nuk kanë munguar ftesat e opozitës që të dalë nga koalicioni qeveritar, pati një darkë të gjatë me kryeministrin Edi Rama. Ai tha sot pasdite se “opozita është gjithnjë e mirëpritur në parlament në mënyrë që të çojë përpara kërkesat e saj për standarde me të lart për zgjedhjet e 18 qershorit. Për mua parlamenti pa opozitën nuk ka kuptim. Kështu që do të bëjmë të gjitha përpjekjet në mënyrë që kjo klimë të përmirësohet dhe të rritet besimi i shqiptarëve në radhë të parë tek zgjedhjet, por edhe të përmirësohet klima tani ku jemi në një moment mjaft të rëndësishëm të ecjes përpara të reformës në drejtësi”, u shpreh zoti Meta.

XS
SM
MD
LG