Lidhje

Në pikëpyetje fati i Mosulit pas mposhtjes së IS-isit


Beteja për Mosulin ka qenë e përgjakshme dhe e avashtë si për ushtarët irakianë ashtu edhe për civilët.

Që kur forcat irakiane nisën një betejë për të rimarrë qytetin tetorin e kaluar, që ishte dhe fortesa më e madhe e Shtetit Islamik, trupat irakiane u përballën me sulme me raketa, mortaja, bombardime vetëvrasëse, goditje me snajper si dhe sulme të pazakonta me dronë.

Me forcat irakiane të përqendruara tashmë në gjysmën perëndimore të qytetit, pas goditjesh që zgjatën një muaj me qëllim për të siguruar pjesën lindore të Mosulit, pyetjet në lidhje me atë se çfarë do të ndodhë me qytetin pas përzënies së luftëtarëve të Shtetit Islamik po bëhen gjithnjë më urgjente.

Shqetësimet se si do të qeveriset Mosuli dhe si do të mund të pajtohen grupet sektare do të varen nga ajo që do të ndodh me Shtetin Islamik.

Më herët gjatë kësaj jave, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Jim Mattis, e bënë të qartë për gazetarët në Irak se nuk do të ketë një tërheqje të nxituar nga vendi, të më shumë se 9 mijë forcave amerikane të koalicionit pas marrjes së Mosulit.

"Mendoj se qeveria e Irakut e kupton se është një luftë shumë komplekse dhe ata kanë nevojë për ndihmën e koalicionit edhe përtej marrjes së Mosulit", u tha gazetarëve në Bagdad gjeneral lejtnanti Stephen Townsend, komandant i përbashkët i Task Forcës e ngarkuar me detyrën e koordinimin të forcave të koalicionit kundër IS-isit.

"Udhëheqja politike e Irakut e di kundër kujt lufton si dhe vlerat e koalicionit", tha sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis në një konferencë shtypi.

Vlerat e koalicionit u dëshmuan në betejën për Mosulin. Koalicioni organizoi me mijëra sulme ajrore që targetonin IS-in si dhe përgatiti me mijëra forca lokale të këmbësorisë, irakianë dhe kurdë.

Askush nuk pret që Shteti Islamik të zhduket pas humbjes që pësoi në Mosul. Dhe ekspertiza e koalicionit mund të jetë vendimtare.

Shqetësimi tashmë lidhet me faktin se qeveria e kryeministrit irakian Haider Al Abadi, nën presionin e udhëheqësve shiitë të Irakut dhe Iranit do të vendosë një strukturë qeverisëse për qytetin si dhe provincën pranë të Nineveh të ngjashme me atë që egzistonte përpara se Shteti Islamik të pushtonte Mosulin. Kjo do të bënte që i gjithë qyteti të jetë nën pushtetin e shumicës shiite që dominon shtetin.

Kurdët dhe grupet pakicë kanë bërë thirrje për një administrim të decentralizuar të provincës, që i siguron grupimeve të ndryshme fetare dhe etnike një nivel vetëqeverisës. Po kështu si mundësi ata shohin edhe ndarjen e provincës në provinca të vogla. Propozimi i fundit mbështetet nga Qeveria Rajonale e Kurdistanit që pretendon të marrë një copë të provicës,

Më komplekse e bën situatën fakti se fuqi të huaja si Turqia dhe Irani janë të etura të formësojnë të ardhmen e Mosulit. Turqia ka tre qëllime kryesore; të tkurrë numrin e vendeve të shenjta në veri të Irakut që i përkasin partisë së paligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, të mbrojë të drejtat e komunitetit turk në veri të Irakut si dhe të bllokojë Iranin që të shtrijë ndikimin e tij nëpërmjet milicisë shiite të Njësive të Mobilizimit Popullor.

"Vetëm një prani efektive e koalicionit në Mosul pas disfatës së IS-isit dhe dëshira e palëve të interesuara për kompromis do të parandalonte një tjetër valë përballjeje të përgjakshme në Mosul në epokën pas Shtetit Islamik”, paralajmëron Othman Ali profesor historie në universitetin “Salahaddin”.

XS
SM
MD
LG