Lidhje

SHBA, qeveria federale dhe të drejtat e transgjinorëve


Qeveria federale amerikane ka anuluar udhëzimet që u lejonin nxënësve transgjinorë të përdornin në shkolla banjot dhe dhomat e zhveshjes në palestra në përputhje me gjininë me të cilën identifikohen dhe jo me gjininë që specifikohet në certifikatën e lindjes. Vendimi është përcjellë me protesta nga grupet për të drejtat e transgjinorëve:

Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Arsimit nxorën një letër të përbashkët dje ku njoftonin shkollat në të gjithë vendin se anulohej një direktivë e nxjerrë vjet nga administrata e Presidentit Obama.

Në letër thuhej se departamentet e arsimit në shtete individuale duhet të kenë të drejtën të vendosin si ta trajtojnë këtë çështje, jo qeveria federale.

Grupet për të drejtat e transgjinorëve organizuan një protestë para Shtëpisë së Bardhë disa orë pas njoftimit të vendimit:

“Fëmijët në të gjithë vendin tremben nga ky njeri. Ata janë shumë të shqetësuar se nesër kur të shkojnë në shkollë, fëmijët e tjerë do të tallen me ta. Këta fëmijë janë të detyruar të jetojnë me shqetësimin se do të vihen në lojë nga fëmijët e tjerë, nganjëherë edhe nga vetë mësuesit. Tani duhet t’i tremben edhe Prokurorit të Përgjithshëm dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara. Nuk është mirë kështu,” thotë një aktiviste.

Direktiva e administratës së mëparshme, e cila mbështetej në një ligj që nuk lejon diskriminimin gjinor në arsim, argumentonte se kjo mbrojtje shtrihet edhe në aspektin e identitetit gjinor.

Një gjykatës federal e kishte pezulluar direktivën që më parë, pasi një grup shtetesh ngritën padi ndaj saj.

Çështja do të dalë para Gjykatës së Lartë muajin e ardhshëm, ku do të paraqitet rasti i adoleshentit Gavin Grimm nga Virxhinia, ku muajin e kaluar autoritetet lokale miratuan një ligj të ri, në bazë të të cilit Gavin nuk mund të përdorë më banjon e burrave.

XS
SM
MD
LG