Lidhje

Drejtësia, rivlerësimi, rihapet gara për kandidatët


Në Shqipëri, parlamenti i cili u mblodh për të votuar ngritjen e komisionit ad hoc i cili do të bënte përzgjedhjen e kandidatëve për strukturat që do të realizojnë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vendosi sot të rihapë garën, si dhe t’i kthejë Avokatit të Popullit për rishqyrtim listën e kandidatëve që ishin përjashtuar për mungesë dokumentacioni.

Fillimisht në garë u paraqitën 193 kandidatura, nga të cilat paraprakisht vetëm 29 plotësonin kushtet formale. Sipas ekspertëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilët verifikuan dosjet e secilit prej tyre, vetëm 21 emra u rekomanduan t’i kalonin për gjykim parlamentit. Në të njejtën kohë, ekspetrtët ndërkombëtarë morrën në shqyrtim dhe kandidaturat e përjashtuara për mangësi në dokumentacione, duke përzgjedhur 79 prej tyre, si kandidatë potencial.

Duke qenë se vendet vakante për në strukturat që do të kryejnë rivlerësimin janë 27, dhe kandidatët e kualifikuar ishin 21, parlamenti vendosi që t’I rikthejë Avokatit të Popullit listën me 79 kandidatët që kishin mangesi dokumentacioni në mënyrë që t’u kërkojë atyre plotësimin e këtyre dokumentave. Afati për këtë kategori është 7 ditë. Nga ana tjetër parlamenti vendosi që të rihapet dhe një herë gara për t’i dhënë një mundësi të dytë edhe personave të tjerë që dëshirojnë të përfshihen në këtë proces.

Rihapja e garës e shtyn me të paktën 5 javë të tjera që nga data e shpalljes së saj, momentin kur parlamenti do të duhet të rimblidhet për ngritjen e komisionit ad hoc. Në këtë mënyrë shumica ka vendosur të fitojë kohë, duke qenë se komisioni që do të duhet të përzgjedhë kandidaturën, nuk do të mund të ngrihej në mungesë së opozitës e cila ka bojkotuar parlamentin. Palët kanë një numër të barabartë, prej 3 përfaqësuesish secila, por vendimet në përzgjedhjen e kandidaturave duhet të merren me së paku 4 vota.

XS
SM
MD
LG