Lidhje

Konferencë për luftën kundër ISIS


Sekretari i Shtetit Rex Tillerson po kryeson takimin e parë të plotë që nga viti 2014, me ministrat e jashtëm dhe zyrtarë të lartë nga 68 vende dhe organizata ndërkombëtare - pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të luftuar Shtetin Islamik. Departamenti i Shtetit thotë se synimi i konferencës është të përshpejtojë përpjekjet ndërkombëtare për të mposhtur ISIS-in në zonat që janë ende nën kontrollin e tij në Irak dhe Siri. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton nga Departamenti i Shtetit.

Lufta kundër Shtetit Islamik dhe rrugët për të stabilizuar rajonin në Irak dhe Siri, do të jenë fokusi i një konference të rëndësishme që Sekretari i ri i Shtetit Tillerson do të kryesojë në Uashington. Koalicioni ka bërë përparim të ndjeshëm, por ka ende shumë punë për t’u bërë, thotë zëdhënësi në detyrë Mark Toner.

“Së pari është një mundësi për administratën e re të vlerësojë ku jemi dhe çfarë duam të bëjmë në të ardhmen. Nuk dua të them më shumë sesa vetë Sekretari i Shtetit, por ai do të vijë këtu me ide dhe qasje të reja për mënyrën sesi të mposhtim ISIS-in.”

Konferenca do t’i japë zotit Tillerson shansin për t’u takuar me aleatët amerikanë, thotë Michael O’Hanlon.

“Në se do të ketë ide për politika të reja aq më mirë, por nuk është e nevojshme, aq më tepër në sesionin e parë pasi njerëzit duhet njihen me njëri- tjetrin dhe sigurisht edhe me zotin Rex Tillerson dhe Donald Trump. Këta janë njerëz jo shumë të njohur në komunitetin e politikës së jashtme apo të sigurisë kombëtare, sidomos në nivel personal.”

O’Hanlon thotë se ka disa çështje të mprehta për t’u diskutuar nga partnerët e koalicionit.​


“Turqia ka miliona refugjatë në tokën e saj dhe nuk shihet fundi i luftës në Siri. Evropiano-perendimorët janë ende nervozë rreth kthimit të luftëtarëve të ISIS-it, veçanërisht ata që janë nga vendet e tyre dhe që shkuan për të luftuar dhe tani kthehen duke u përpjekur për fushata terroriste… pra askush nuk është i kënaqur, dhe askush nuk mund të jetë. Jemi në mes të kësaj fushate.”

Presidenti Trump ishte kritik ndaj presidentit Barack Obama për atë që e quajti një luftë të dobët kundër militantëve të ISIS-it, prandaj analistët po kërkojnë të shohin nëse administrata e re do të ndërmarrë një kurs të ri, ndërsa qendra e veprimit pritet të zhvendoset në kryeqytetin e vetshpallur të Shtetit Islamik, Raka.

XS
SM
MD
LG