Lidhje

Amerika shkurton fondet e OKB për popullsinë


Administrata e Presidentit Trump po i jep fund financimit për Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, nën akuzat se agjencia ka mbështetur masat për abortin apo sterilizimin e pavullnetshëm.

Departamenti amerikan i Shtetit përmes një letre drejtuar Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, shprehet se do të refuzojë 32.5 milion dollarë të parashikuara për fondin e Kombeve të Bashkuara në buxhetin e vitit 2017. Në letër thuhet se agjencia, e njohur si UNFPA, bashkëpunon me Komisioni për Planifikimin Familjar dhe Shëndetin Kombëtar të Kinës, e cila zbaton politikën e Pekinit për dy fëmijë, që kufizon numrin e fëmijëve që një çift kinez mund të ketë. Departamenti i Shtetit thotë se paratë në fjalë do t’ja kalojë nismave të departamentit për shëndetin global.

Përmes një deklarate me shkrim, UNFPA thotë se ndihet e zhgënjyer nga veprimi i administratës së zotit Trump, për cilën thotë se është bazuar në një “pretendim të gabuar” se agjencia mbështet abortin e detyrueshëm, apo sterilizimin e padëshiruar në Kinë. Misioni i UNFPA është i përqendruar tek planifikimi i përgjegjshëm familjar si dhe shëndeti i nënës dhe fëmijës, thuhet në deklaratë.

Ky është vendimi i dytë nga administrata e zotit Trump për të kufizuar fondet amerikane ndaj grupeve ndërkombëtare lidhur me çështjen e abortit. Presidenti Trump ka rivendosurtë ashtuquajturin “rregulli global i bllokimit” që ndalon financimin e grupeve jo-qeveritare që kryejnë, apo japin të dhëna mbi abortin.

Politika të tilla ndryshojnë në varësi të partisë që ka kontrollin e Shtëpisë së Bardhë. Republikanët, si ish Presidenti George W. Bush, kanë mbajtur qendrim të njëjtë me administratën aktuale, që ëahtë ndryshuar nga demokratët, si Bill Clinton dhe Barack Obama.

Por vendimi i Presidentit Trump bie më shumë në sy si rezultat i propozimit të tij për buxhetin ku kërkohen shkurtime të thella në buxhetin e Departamentin e Shtetit për diplomacinë dhe ndihmat e huaja, përfshi mbështetjen për Kombet e Bashkuara në tërësi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG