Lidhje

Propozimi i LSI-së, Rama nuk tërhiqet

  • Armand Mero

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama nuk bëri asnjë hap pas ndërsa reagoi lidhur me pozicionin e ri të aleatit të tij kryesor, LSI e cila mbrëmë propozoi krijimin e një”Qeverie besimi” që do të zgjidhte ndërçin politik, ndërsa paralajmëroi se as ajo nuk do të merrte pjesë në zgjedhje nëse opozita nuk do të përfshihej në procesin elektoral. Zoti Rama nënvizoi dhe një herë se “qeveria është vullnet i shumicës”. Nga ana e tij kryetari demokrat Lulzim Basha tha se nëse Lsi është e sinqertë në qëndrimin e saj atëherë është e mirëpritur.

Goditja që i dha mbrëmë partneri i tij kryesor në qeveri nuk duket se e ka detyruar kryeministrin Edi Rama që, së paku për momentin, të tërhiqet nga qëndrimi i tij. Reagimi i sotëm në Facebook anashkalonte një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj serisë së kushteve të renditura një natë më parë nga kreu i LSI-së Meta, dhe i ngjante një tentative për të mos hapur luftë me të e për të ushqyer një bashkëjetesë të bërë edhe më të vështirë, ndërsa qëndrimin e aleatit të tij e vlerësonte si “një përpjekje të bashkëkryetari të koalicionit qeverisës për të kërkuar një zgjidhje që kënaq Partinë Demokratike”.

Teksti i zotit Rama i referohej më së shumti qëndrimit të opozitës, kur shprehej se ai ka qenë dhe mbetet I hapur për çdo kërkesë apo zgjidhje që nuk cënon Kushtetutën e nuk i bie ndesh standarteve demokratike. Por qëndrimet e tij të prera sipas të cilave “Kushtetuta është shumë e qartë - zgjedhjet duhet të mbahen në 18 qershor” dhe se kushtetuta është po aq e qartë ku përcakton se “qeveria është vullnet i shumicës”, ngjanin një përgjigje ndaj propozimeve të mbrëmshme të LSI-së.

Kërkesa për një qeveri teknike nuk vjen tanimë vetëm nga opozita. Pavarësisht përdorimit të një termi tjetër “Qeveri besimi”, në thelb të njejtën gjë kërkoi mbrëmë dhe zoti Meta, pjesë e vullnetit të shumicës, kur renditi si objektiva që ajo do të duhej të përmbushte, pikërisht ato që janë dhe elementët e identifikuar nga e djathta. Madje zoti Meta ishte mjaft i qartë kur tha se “Qeveria e besimitp e presupozon zotin Rama si kryeministër, por për këtë ai duhet të punojë që t’i japë besim opozitës për zgjedhje”

Në tekstin e tij në Facebook zoti Rama thekson se nuk do të bëjë hapa pas e as do të ndalet “në rrugën që na ka përcaktuar mandati i popullit, pse një pakicë ka frikë nga Vetingu dhe nga gjykimi i popullit në zgjedhje!” Por mospjesmarrja e opozitës në zgjedhje, nuk pranohet nga LSI-ja: “Nëse lidershipi i Partisë Socialiste, nuk do të tregojë përgjegjshmëri maksimale dhe vullnet politik për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe dhënien e të gjitha garancive të mundshme për opozitën, që ajo të jetë pjesë e procesit zgjedhor, LSI jo vetëm nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të tillë, por as edhe një farse elektorale të mundshme”, u shpreh mbrëmë zoti Meta.

Opozita nga ana e saj nuk tregoi ndonjë entuziazëm të veçantë lidhur me qëndrimin e LSI-së, duke preferuar një pozicion pritës, për hapa konkret nga aleati i kryeministrit, i cili paralajmëroi dhe tërheqje të mundshme nga qeveria në funksion të zgjidhjes së krizës. “Një nga dy partnerët kryesorë të koalicionit qeverisës ka bërë zgjedhjen e tij, dhe ne i themi; në se kjo zgjedhje është e sinqertë: Mirë se vjen tek Shqipëria e para, shqiptarët të parët!”, deklaroi zoti Basha. Ai megjithatë saktësoi se opozita nuk ka kërkuar dhe as kërkon “pazare politike, aleanca të kurdisura në kurriz të interesit qytetar” ndërsa rikonfirmoi se sipas saj k”ryeministri është identifikuar zyrtarisht edhe logjikisht si pengesa e vetme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si njeriut i cili ka vënë dhe po vë pushtetin e tij dhe karrigen e tij para Shqipërisë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG