Lidhje

Trump i dhuron Parqeve Kombëtare pagën tremujore


Presidenti amerikan ka zbatuar një prej premtimeve të fushatës dhe ka dhuruar pagën e tij tremujore të këtij viti për Shërbimin e Parqeve Kombëtare.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, i prezantoi të hënën Sekretarit të Brendshëm Ryan Zinke një çek prej 78, 333,32 dollarësh gjatë një konference shtypi.

Një biznesmen miliarder i kthyer në president, Trump pati premtuar të heqë dorë nga paga e tij presidenciale. Sipas ligjit ai duhet të paguhet, kështu që ai po e dhuron pagën. Taksapaguesit amerikanë mund të zbresin nga taksat paratë që dhurojnë, duke zvogëluar taksat që paguajnë.

Dhurata mund të jetë një ofertë paqeje jokonvencionale. Zoti Trump ka shkëmbyer polemika me agjencinë e parqeve, lidhur me postimet e fotografive në Twitter, ku vendoseshin krah për krah fotografitë nga inaugurimi i tij dhe i ish-Presidentit Barack Obama, që nxirrnin në pah se pjesëmarrja për të ishte më e vogël sesa ajo për zotin Obama.

Shërbimi i Parqever Kombëtare është pjesë e Departamentit të Brendshëm, buxheti i të cilit përballet me një shkurtim prej më shumë se një miliard dollarë sipas propozimit të presidentit Trump.

Veprimi bamirës nuk ka qetësuar kritikët e zotit Trump lidhur me politikat e tij për mjedisin. Grupi mjedisor “Sierra Club” e quajti veprimin “një lojë”.

“Nëse Donald Trump ka vërtet interes për të ndihmuar parqet tona, ai duhet të ndalojë shkurtimin e buxhetit në nivele të ulta historike”, u shpreh grupi.

Por zoti Zinke tha se ishte shumë i kënaqur me vendimin e presidentit për të dhuruar pagën për sherbimin e parqeve. Ai tha se do të përdorte paratë në projektet e mirëmbajtjes për 25 sheshet historike të betejave të vendit. Projektet e mirëmbajtjes kushtojnë rreth 229 milion dollarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG