Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson thotë se shpreson që Rusia nuk do ta mbështesë më presidentin sirian Bashar al-Assad, pas sulmit vdekjeprurës me armë kimike të javës së kaluar.
"Është e qartë për të gjithë ne që sundimit të familjes së Asadit po i vjen fundi”, tha zoti Tillerson në Itali, ku zhvilloi bisedime me ministrat e jashtëm të Grupit të Shtatëshes.
"Politika jonë është për një Siri të bashkuar, që qeveriset nga vetë populli sirian. Është e qartë për të gjithë ne se sundimit të Asadit po i vjen fundi. Tranzicioni në vetëvete është shumë i rëndësishem, qëndrueshmëria, stabiliteti brenda një Sirie të bashkuar" tha sekretari amerikan i shtetit.
"Rusia është rreshtuar përkrah regjimin të Asadit, Iranit dhe Hesbollahut. A janë këto aleanca që i shërbejnë interesit afatgjatë të Rusisë? Apo Rusia do të preferonte të rreshtohej me Shtetet e Bashkuara dhe me vendet e tjera evropiane si dhe ato të Lindjes së Mesme që kërkojnë zgjidhje për krizën siriane? Ne duam të çlirojmë popullin sirian nga vuatjet, duam të krijojmë një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurtë për Sirinë. Rusia mund të jetë pjesë e kësaj të ardhmeje e të luajë një rol të rëndësishëm ose të vazhdojë të ruajë aleancat e veta me këtë grup që ne besojmë nuk do t’i shërbejë interesit afatgjatë të Rusisë. Por vetëm Rusia mund t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje", u shpreh zoti Tillerson.
Siria ishte fokusi i bisedimeve përpara udhëtimit të sekretarit amerikan të shtetit drejt Moskës, ku pritet të takohet me zyrtarët rusë.
Zoti Tillerson bisedoi me homologët e tij nga Jordania, Katari, Arabia Saudite, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe rreth reagimit të Shteteve të Bashkuara ndaj sulmit sirian me armë kimike të javës së kaluar.
Pas takimit të hënën me zotin Tillerson, sekretari i jashtëm britanik Boris Johnson tha se pas sulmit amerikan me raketa në një bazë ajrore siriane "loja tashmë ka ndryshuar."
Zoti Johnson tha se aleatët do të diskutojnë mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj personaliteteve ushtarake siriane si dhe pjesëtarëve të ushtrisë ruse të cilët kanë koordinuar përpjekjet siriane dhe që, sipas zotit Johnson, "janë bërë pjesë e sjelljes së tmerrshme të regjimit të Asadit."
Facebook Forum