Lidhje

Goditet rrjeti shqiptar, grek dhe maqedonas i drogës


Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri tha se zbuloi një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike drejt Greqisë. Sipas prokurorisë, ky grup kishte kohë që transportonte marijuanë nga zonat jugore dhe juglindore të Shqipërisë drejt Greqisë.

Prokuroria tha se 6 persona janë arrestuar në Pogradec, Fier, Maqedoni e Greqi, ndërkohë që anëtarë të tjerë të rrjetit të trafikut janë në kërkim. Sipas prokurorisë, në kuadër të këtij hetimi, disa kohë më parë janë arrestuar në episode të ndryshme edhe shtetas të tjerë shqiptarë, grekë dhe maqedonas.

Nga hetimet rezultojnë se këta shtetas nën drejtimin e dy organizatorëve shqiptarë, tashmë të arrestuar, kishin krijuar një rrjet të gjerë sigurimi, transportimi dhe trafikimi të lëndës narkotike nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.

Sipas prokurorisë ky trafik realizohej nëpërmjet kufirit Shqipëri-Greqi ose Maqedoni - Greqi. Sipas policisë greke, Shqipëria është furnizuesi kryesor i tregut grek me marijuana ndërkohë që shqiptarët janë tashmë edhe pjesë e rrjeteve ndërkombëtsre që dërgojnë marijuanë në vende të ndryshme të Europës.

Pak ditë më parë policia greke goditi një rrjet të tillë trafiku që transportonte me kamionë tregëtarë marijuanë drejt veriut të Europës (Hollandë, Suedi,Norvegji).Sipas te dhenave zyrtare greke, vetëm gjatë muajit shkurt u bllokuan nga policia greke kryesisht në brezin e kufirit tokësor rreth 2 tonë marijuanë nga Shqipëria.

Ndërkohë autoritete shqiptare nuk kanë dhënë asnjë hollësi mbi personat përgjegjës të kultivimit dhe trafikimit të rreth 12 tonëve marijuanë që u bllokuan pak ditë më parë në një fshat të vogël të Përmetit, në Jug të Shqipërisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG