Lidhje

Hungari, protesta kundër mbylljes së universitetit të krijuar nga Soros


Presidenti i djathtë i Hungarisë ka nënshkruar një ligj të debatueshëm për universitetet e huaja. Kritikët thonë se nëpërmjet këtij ligji mund të detyrohet mbyllja e një ndër institucioneve më të mira ndërkombëtare të krijuara nga financieri amerikan George Soros.

Presidenti Janos Ader miratoi dje një ligj i cili vendos si parakusht që të 28 universitetet e huaja të Hungarisë të kenë një kampus qendror universitar në vendet prej të cilave vijnë.

Kritikët thonë se Universiteti i Evropës Qendrore (CEU) është i vetmi ndër 28 universitetet e huaja që nuk ka prani në vende të tjera. Kjo ka ngjallur frikën se ligji synon t’u mohojë të rinjve mundësinë për t’u arsimuar në këtë institucion me prirje perëndimore dhe pro-demokratike.

“E prisnim që kështu do të ndodhte, pasi e dimë se ç’po ndodh këtu gjatë gjashtë apo shtatë viteve të fundit. Megjithëse e prisnim që Presidenti do ta firmoste ligjin, ndjesia e hidhërimit dhe indinjatës nuk na është pakësuar”, thotë një protestues.

Ligji i ri gjithashtu u ndalon universiteteve të huaja që nuk kanë selitë qendrore në Bashkimin Evropian, të japin diploma hungareze pa miratimin e qeverisë.

Pa këtë miratim, ligji do t’u ndalojë universiteteve të regjistrojnë studentë të rinj pas datës 1 janar 2018 dhe do të detyrojë mbylljen e tyre në vitin 2021.

Universiteti i Evropës Qendrore, një institucion në gjuhën angleze me rreth 1400 studentë nga mbi 100 vende, u themelua nga George Soros në vitin 1991, pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Në atë kohë, ky akt i financierit Soros u përshëndet gjerësisht si ndihmë për tranzicionin nga dekadat e komunizmit drejt demokracisë, duke ofruar ekspozimin ndaj idealeve të demokracisë.

Kryeministri i djathtë Viktor Orban, partia në pushtet e të cilit hartoi projektligjin, perceptohet në shumicën e Evropës dhe më gjerë si një autokrat dhe ksenofob, i cili prej kohësh e konsideron liberalin ndërkombëtar Soros, si një armik ideologjik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG