Lidhje

Akuzat për korrupsion në Drejtorinë e Tatimeve, Shkodër


Tre ish drejtuesit të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve të Shkodrës akuzohen nga prokuroria për shpërdorim detyre, gjatë procesit të rimbursimit të tatimit mbi vlerën (tvsh) duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar prej 200 mijë eurosh. Prokuroria e Shkodrës bëri sot të ditur se ka përfunduar hetimin dhe se dosja ndaj tre të akuzuarve është dërguar në gjykatë.

Sipas organit të akuzës, drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Shkodër dyshohet se, në kundërshtim me ligjin, kanë rimbursuar kompanitë “Halaj”, “Adelchi Shqipëri”, “B&T Shoes” dhe “Calvcaturificio Adelchi”.

Të katër këto kompani kanë përfituar rimbursimin e tvsh-së edhe pse kishin një detyrim financiar prej rreth 300 mijë euro ndaj administratës doganore dhe tatimore.

Gjatë hetimit, ish drejtori i Vlerësimit Tatimor, Agron Ramadani, ka pretenduar se, për këtë çështje, është telefonuar edhe nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj, e cila, sipas tij, në kundërshtim me ligjin, ka urdhëruar miratimin e procedurës. Por prokuroria sqaroi sot se nuk ka gjetur prova të përfshirjes së ish drejtoreshës së tatimeve në këtë aferë korruptive.

Në vitin 2016 Prokuroria e Shkodrës nisi hetimin ndaj ish drejtorit rajonal të tatimeve Hysen Hysës, pas denoncimit se kishte rimbursuar, në kundërshtim me ligjin, një biznes privat që drejtohej nga një familjar i tij. Pas kësaj, prokuroria e shtriu hetimin edhe ndaj dy ish drejtuesve të tjerë të kësaj drejtorie, ish drejtorit të Vlerësimit Tatimor, Agron Ramadani dhe ish inspektores tatimore Vahide Idrizi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG