Lidhje

Presion për konfiskimin e pronave të familjes Asad

  • Henry Ridgewell

Autoritetet spanjolle dhe franceze kanë konfiskuar prona disa milionëshe të Rifat al-Asadit, xhaxhait të Presidentit sirian Bashar al-Asad. Prokurorët argumentojnë se pasuria e tij me vlerë prej mbi 500 milionë dollarësh u krijua duke përvetësuar fonde shtetërore gjatë viteve 1980.

Opozita e akuzon Rifat al-Asadin se ka drejtuar masakrën e Hamës në 1982 kur ushtria siriane shtypi një revoltë të Vëllazërisë Myslimane. Ai i ka hedhur poshtë akuzat.

Ai mërgoi në Evropë pasi, siç thuhet, u përpoq pa sukses të organizonte një grusht shteti kundër të vëllait, Presidentit Hafez al-Asad.

“Për tre dekada, Rifat al-Asadi, ish-nënpresident i Sirisë, një person që nga shumë veta konsiderohet përgjegjës për masakrën e Hamës ku u vranë dhjetëra mijëra vetë, ka bredhur Evropën duke jetuar me të ardhura të përvetësuara padrejtësisht në Siri,” - thotë Chris Doyle i Këshillit për Mirëkuptim Britaniko-Arab.

Por ndoshta kësaj jete luksi po i vjen fundi. Policia spanjolle bastisi javën e kaluar shtëpitë e tij dhe të familjes së tij dhe konfiskoi mbi 500 prona me vlerë 740 milionë dollarë.

Hetuesit besojnë se Rifat al-Asad ka përvetësuar mbi 300 milionë dollarë nga fondet e shtetit.

Familja e tij nxori një deklaratë ku thotë se nuk kanë përfituar “asnjëherë nga fonde apo akte në dëm të popullit sirian”. Në 2013, në fillim të një hetimi në Francë, djali i Rifat al-Asadit tha se pasuria e të atit ishte siguruar me mbështetjen e sauditëve të pasur:

“Paratë e tij ishin dhuruar nga miqtë e Rifat al-Asadit, të cilët besonin tek lëvizja e tij opozitare”.

Djali i Rifat al-Asadit zotëron një shtëpi me vlerë 12 milionë dollarë në lagjen luksoze Mayfair të Londrës. Po shtohet presioni që Britania të ndjekë shembullin e Spanjës dhe t’ia konfiskojë pronat.

“Rifat al-Asadi nuk mund të lejohet të gëzojë miliarda dollarë pasuri, në një kohë që të tjerët vuajnë,” - thotë aktivisti Chris Doyle.

Por ka të tjerë që e konsiderojnë Londrën si strehë për “para të pista” dhe nuk besojnë se Britania do të bëjë përjashtim në rastin e Rifat al-Asadit.

“A janë autoritetet britanike të përgatitura t’u tregojnë të gjithë kriminelëve, të gjithë oligarkëve, të cilët kanë siguruar para me mënyra kriminale, se i kanë vënë në shenjestër? Apo do të zgjedhim një prej tyre sepse për momentin Asadi është në shenjestër të Perëndimit?” – pyet Nick Kochan, ekspert i krimeve financiare.

Ligji britanik kërkon që individi të jetë shpallur fajtor para se të konfiskohet pasuria.

“Në rastet e pastrimit të parave, të përvetësimeve të paligjshme, korrupsionit, të formave të tjera të krimit ekonomik, autoritetet duhet të provojnë se pasuria u sigurua me mënyra të paligjshme, prandaj duhet konfiskuar,” - thotë zoti Kochan.

Ligji i ri britanik u lejon autoriteteve të konfiskojnë pasuritë e abuzuesve të të drejtave të njeriut. Por ekspertët ligjorë thonë se do të ishte shumë e vështirë të provohej fajësia e Rifat al-Asadit në krime të së kaluarës, në mungesë të provave nga autoritetet siriane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG